Sot testohen edhe 98 të karantinuar në Qendrën e Studentëve

04 prill 2020 | 14:28

Gjatë ditës së premte, IKSHPK-ja ka bërë testimin e 36 personave të karantinuar në Qendrën e Studentëve me datën 19 mars 2020. Tridhjetë e pesë (35) prej tyre kanë rezultuar negativ në Covid-19.

Një person ka rezultuar pozitiv dhe i njëjti është dërguar në Klinikën Infektive, së bashku me personin që ka qëndruar në dhomë gjatë kohës së karantinimit, kurse 1 tjetër (edhe pse ka rezultuar negativ në Covid-19) është dërguar në QKUK për shkak të problemeve shëndetësore të natyrës ortopedike.

Grupi prej 33 personave janë liruar sot të shkojnë në shtëpi, dhe janë të rekomanduar që t’u përmbahen kushteve të izolimit shtëpiak edhe për dy javë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se gjatë ditës së sotme pritet të testohen edhe 98 persona të tjerë, të cilët në QS janë karantinuar me datën 20 mars 2020.

“Personat që rezultojnë negativ në Covid-19 pritet të lirohen nesër në shtëpi, gjithashtu, duke u rekomanduar që t’u përmbahen kushteve të izolimit shtëpiak edhe për dy javë. Kurse, gjatë ditës së diel, pritet të testohen 33 persona të cilët në QS janë karantinuar më 21 mars 2020”, ka thënë ai.

“Pra, ashtu si janë vendosur në karantinë, me atë renditje edhe bëhet testimi dhe nxjerrja e tyre nga karantina e personave që rezultojnë negativ në Covid-19. MSh u bën thirrje personave që lëshohen në shtëpi, që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat e vetizolimit shtëpiak, duke mbrojtur veten dhe të afërmit përreth., derisa të karantinuarve u bën thirrje për më shumë mirëkuptim deri në testimin dhe lirimin e tyre nga karantina”, ka deklaruar Hoti.

Në karantinën e QS janë mbi 500 persona të karantinuar, shumica prej të cilave pritet të lirohen ditëve në vijim, pasi IKSHPK-ja të ketë bërë testimin e tyre sipas radhës.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, përmes një postimi…