Sot Thaçi dhe Krasniqi dalin para Gjykatës Speciale

09 nëntor 2020 | 11:06

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se sot (e hënë), duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet seanca e parë ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqit. Po këtë ditë do ta bëjë paraqitjen e parë duke filluar nga ora 15:00 edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkaq ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, do ta bëjë paraqitjen e parë para gjyqit të këtij institucioni më 10 nëntor. Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, do të paraqitet para Dhomave të Specializuara më 11 nëntor. Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Që të gjithë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Hetues të Prokurorisë së Specializuar në Hagë dhe policë të EULEX-it kanë bastisur të premten që lamë pas shtëpinë e ish-presidentit Hashim Thaçi, të shefit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe të ish-shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Këto bastisje kanë ndodhur një ditë pasi ata janë transferuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dastid Pallaska, në cilësinë e njërit prej avokatëve mbrojtës të Hashim Thaçi në procesin gjyqësor në Hagë, ka thënë se është e paqartë pse bastisja është kryer pas konfirmimit të aktakuzës, derisa ka shtuar se Prokuroria është duke kërkuar ende prova për ta mbështetur aktakuzën tanimë të konfirmuar.

Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj bastisjeve që po bëhen nga EULEX-i në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, dhe shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Në reagimin e KMDLNj-së është thënë se policia e EULEX-it po shpërfill skajshmërisht institucionet e Kosovës, ndërsa Policinë e Kosovës po e përdor si “punëtore krahu”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, gjatë mbledhjes së qeverisë e cila është mbajtur javën e kaluar,  ka komentuar zhvillimet e fundit dramatike rreth Gjykatës Speciale. Ai ka thënë se gatishmëria e të akuzuarve për bashkëpunim me Hagën ka vërtetuar pjekurinë politike dhe idealin që ka pasur lufta jonë. “Gatishmëria për bashkëpunim me Prokurorinë Speciale e të akuzuarve vërteton pjekurinë politike dhe idealin që ka pasur lufta jonë”, ka thënë ai.

Veliu ka bërë me dije se kanë edhe një plan për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm pas këtyre zhvillimeve. “Policia në planin e vet ka përfshirë masat që kanë mbrojtjen e zonave me popullsi të përzier në rast të ndonjë incidenti të mundshëm, por edhe planin që përmban të gjithë skenarët e mundshëm. Policia ka vendosur me të gjitha mjetet të përgjigjet në një situatë të mundshme. Është rritur edhe niveli i gatishmërisë”, ka thënë Veliu.

Konfirmimi i aktakuzave për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe në Shqipëri. Liderë politikë dhe bashkëluftëtarë të tyre kanë dalë në krahë të ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke besuar fuqishëm në pafajësinë e tyre.

Ndërkaq ushtruesi i detyrës i kreut të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, ka njoftuar se Këshilli Drejtues i kësaj organizate ka vendosur për organizimin e një proteste. Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se për datën se kur do të mbahet protesta pritet të vendoset në ditët në vijim. Klinaku ka thënë se protesta do të jetë paqësore duke respektuar rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka vdekur sot në mëngjes, avokati i njohur Nikë Shala.…