Sot tri ndeshje në elitë, vëmendja në derbin Ballkani – Drita
Ndeshjet e Superligës së Kosovës në futboll për javën e 12 zhvillohen në mesjavë. Sot (e mërkurë) do të zhvillohen tri ndeshje.
Vëmendja kryesore do të jetë në derbin në mes të Ballkanit dhe Dritës. Kampionët në fuqi nga Suhareka renditen në pozitën e parë në elitë me 26 pikë, katër më shumë se skuadra e Dritës që pozicionohet e dyta. Në fundjavë, Ballkani e mposhti Feronikelin me rezultat 0-3 dhe serinë pozitive synon ta vazhdojë edhe kundër Dritës. Ndërsa gjilanasit synim e kanë t’u rikthehen rezultateve pozitive, pasi në fundjavë morën një barazim të papritur kundër Lirisë si vendas (1-1).
Ndeshje interesante do të jetë edhe ajo në mes të Malishevës dhe Prishtinës. Kryeqytetasit iu rikthehen fitoreve në xhiron e kaluar dhe tash synim e kanë të vazhdojnë me ritëm të njëjtë dhe të ngrehen në tabelë. Fitoren e kërkon edhe Malisheva që nuk ka marrë maksimumin e pikëve në tri përballjet e fundit. Punë më e lehtë e pret Gjilanin si vendas që e pret skuadrën e “Niklit”.
Të enjten zhvillohen dy ndeshjet e tjera për këtë xhiro. Llapi në stadiumin “Zahir Pajaziti” e pret Fushë-Kosovën nga e cila ndeshje pret tri pikët e plota. Kjo xhiro përmbyllet me ndeshjen Liria – Dukagjini.
SUPERLIGA
Të mërkurën takohen:
Gjilani – Feronikeli ’74
Malisheva – Prishtina
Ballkani – Drita
Të enjten takohen:
Llapi – Fushë-Kosova
Liria – Dukagjini
/Veton ZYMBERI/