Sot varroset Gani Imeri, ish-komandanti i UÇK-së
Sot i jepet lamtumira e fundit komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, Gani Imeri, i cili ka ka ndërruar jetë të shtunën.
Homazhet dhe mbledhja komemorative për Gani Imerin do të mbahen në Palestrën e Sporteve ’’Jeton Tërstena’’ në Vushtrri duke filluar në orën 12:00. Kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në varrezat e fshatit Dumnicë e Epërme, në ora 15:00
Familjarët kanë njoftuar për për vdekjen e tij.
Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Gani Imerit.
“E nderuara familja Imeri, më pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta e Gani Imerit, Komandant i Batalionit IV, të Brigadës 141, Zona Operative e Shalës e UÇK-së. Ai ishte shembull i një luftëtari në Luftën e UÇK-së, i një humanisti dhe udhëheqësi të palodhshëm në shërbim të qytetarëve dhe të atdheut”, ka shkruar Idrizi.
“E nderuara familje Imeri, duke bashkëndjerë dhimbjen me juve, ju shpreh ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të Komandantit, Gani Imeri. Emri i tij la gjurmë në historinë më të re të Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Komandantit, Gani Imeri!”, thuhet tutje në telegramin e të parit të Vushtrrisë.
E kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, për vdekjen e ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, ka thënë se vepra dhe jeta e të ndjerit do të jenë frymëzim dhe shembull për gjeneratat që la pas.
Krasniqi, vdekjen e Imerit e konsideroi si lajm të trishtë.
Ai ka thënë se Imeri dhe familja kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në çlirimin, forcimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Ai vinte nga një familje atdhetare – dhe një të tillë la mbrapa. Vepra dhe jeta e tij do të jenë frymëzim dhe shembull për gjeneratat që la pas“, ka thënë kreu i PDK-së.
I pari i opozitës i ka shprehur ngushëllime familjes Imeri, bashkëluftëtarëve e miqve të të ndjerit.
Gjithashtu Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vdekjes së ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Imerit.
Haradinaj ka thënë që kujtimi për Gani Imerin qoftë i përjetshëm. “I përjetshëm kujtimi për ty, Komandant Gani Imeri!”, ka shkruar ish-kryeministri në Facebook.
Gani Imeri është ishte njëri nga komandantët më të njohur në luftën e UÇK-së ku së bashku me familjen e tij kontriboi në luftën për çlirim.
Familja e tij nga Dumnica e Epërme i dha shumë Kosovës në etapat të ndryshme që kaloi vendi ynë.