Sot varroset ish-luftëtari i UÇK-së Qerim Kelmendi
Sot në orën 15:00 do të varroset ish-luftëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi.
Ceremonia e varrimit do të mbahet në kompleksin memorial në Gllogjan, ndërsa paraprakisht do të mbahen homazhe për nder të tij në qendër të qytetit të Pejës.
Sipas OVL-së së UÇK-së në Dukagjin homazhet fillojnë nga ora 13:00 deri në orën 14:00 në sheshin “Shkëlzen Haradinaj”.
Në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, ish-luftëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi nga fshati Llabjan i Pejës, është gjetur i vdekur brenda veturës së tij e cila ishte djegur.
Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë ka njoftuar se në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për t’i sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’.
Për vrasjen e Qerim Kelmendit kanë reaguar përfaqësuesit e institucioneve të vendit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Albin Kurti, liderë partish, kryetarë komunash, OVLUÇK-ja dhe bashkëluftëtarë të Qerim Kelmendit, duke e cilësuar këtë vrasje mizore.
Ata u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejt ta zbardhin këtë rast.
/Epoka e re/