Sot varroset prof. dr. Shefki Sejdiu
Pas një sëmundje të rëndë dje, në Prishtinë, në moshën 88 vjeçare u nda nga jeta Prof. Dr. Shefki Sejdiu.
Profesor Sejdiu karrierën e tij prej mësimdhënësi brilant e filloi në Gjimnazin e Podujevës, pastaj atë të Prishtinës dhe më vonë pas kryerjes së studimeve pasuniversitare dhe atyre të doktoratës, të cilat i përfundoi me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e Zagrebit, ai ishte profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës.
Profesor Sejdiu ishte njohës i shkëlqyeshëm i gjuhëve romane dhe në veçanti i gjuhës frënge dhe latine.
Profesor Sejdiu do të lë gjurmë të pashlyeshme në fushën e gjuhësisë shqiptare si edhe në gjuhët romane, duke e kurorëzuar veprimtarinë e tij shkencore me botimin e një numri të madh të veprave dhe punimeve shkencore.
Për qëllim të hulumtimeve shkencore, si dhe pjesëmarrjes në konferenca shkencore, ai ka qëndruar në një numër të madh të universiteteve evropiane si në Francë, Itali, Portugali, Rumani, Bullgari, Kroaci etj.
Pas ndërtimit të institucioneve demokratike të vendit në periudhën e pasluftës, gjatë legjislaturës së parë, ai ishte deputet në Kuvendin e Kosovës.
Varrimi i tij bëhet në Prishtinë, sot më 24 korrik 2023 në ora 17 në varrezat e qytetit.