
Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, në rend dite zgjedhja e kryeparlamentarit
Sot me fillim nga ora 15:00 do të vazhdojë seanca konstituive, me pikat e mbetura nga seancat e kaluar, e që janë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Për herë të tretë të shtunën deputetët e rinj u mblodhën për ta konstituar kuvendin e Kosovës. Pas dy dështimeve, përpjekja e tretë rezultoi e suksesshme.
Raporti për verifikimin e kuorumit dhe mandateve kaloi, e më pas deputetët e bënë betimin.
Mirëpo, zgjedhja e kryetarit të kuvendit dështoi dy herë.
Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryetares së Kuvendit, por në të dy votimet, Haxhiu nuk mori shumicën e nevojshme: fillimisht 57 vota për, 20 kundër dhe 3 abstenime, dhe në tentativën e dytë 57 për, 19 kundër dhe 3 abstenime.
Nisma Socialdemokrate dhe dy deputetë të minoriteteve joserbe abstenuan.
Seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë sot në ora 15:00.