Sot vendoset ku zhvillohet ndeshja Prishtina – Drita
Ndeshja më e rëndësishme e edicionit 2017/2018 është ajo në mes të Prishtinës dhe Dritës nga Gjilani, pasi kjo ndeshje do ta përcaktojë edhe kampionen e re në Vala Superligën e Kosovës në futboll.
Mirëpo sot (e martë) pritet të merret vendimi final se ku do të zhvillohet kjo ndeshje. Lajmin e ka konfirmuar presidenti i Prishtinës, Remiz Ejupi, pas një takimi që ka pasur me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
“Të martën do të mbahet një mbledhje në mes të drejtuesve të FFK-së, MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës për të vendosur se ku do të zhvillohet kjo ndeshje. Vendimi sipas të gjitha gjasave do të jetë për stadiumin e Prishtinës”, ka thënë Ejupi.
“Plisat” në vazhdimësi kanë bërë apel që ndeshja të zhvillohet në kryeqytet.
Drita është tri pikë para Prishtinës, por nëse “bardhekaltrit” fitojnë me dy gola epërsi, atëherë do të shpallen kampionë të Kosovës.