Sot zhvillohen çerekfinalet e para Kroaci – Brazil dhe Holandë – Argjentinë
Brazili do të bëjë përpjekje të mbajë gjalla shpresat për ta fituar Kupën e gjashtë në histori, por fillimisht duhet ta eliminojë Kroacinë në çerekfinale të Kupës së Botës.
Brazili dhe Kroacia përballën sot (e premte) nga ora 16:00 në “Education City”. “Selecao” në 16 e finales e mposhti Korenë e Jugut, derisa kroatët e mposhtën Japoninë pas penalltive.
Kroacia ka rezultate të mira, pasi janë të pamposhtur në dhjetë ndeshjet e tyre të fundit ndërkombëtare dhe kanë humbur vetëm një nga njëzet ndeshjet e fundit në të gjitha garat që nga “Euro 2020”, por kjo ecuri mbresëlënëse do të testohet nga një kombëtare e fortë siç është Brazili.
“Selecao” ka vetëbesim të madh momentalisht dhe po përgatitet për çerekfinalen e shtatë radhazi të Kupës së Botës, por do të jetë i kujdesshëm ndaj rekordit të fundit në këtë fazë të kompeticionit. Brazili është eliminuar në fazën çerekfinale në tri nga katër Kupat e Botës, duke humbur nga treshja evropiane Francën, Holandën dhe Belgjikën më 2006, 2010 dhe 2018.
Që kur mundi Gjermaninë 2-0 në finalen e Kupës së Botës 2002, Brazili ka humbur secilën nga pesë ndeshjet e fundit me eliminim direkt kundër kombeve evropiane në këtë kompeticion.
Megjithatë, “Selecao” nuk ka humbur kurrë në katër takimet e mëparshme me Kroacinë, ndërsa humbja 1-0 në fazën e grupeve ndaj Kamerunit javën e kaluar është humbja e tij e vetme në nëntëmbëdhjetë ndeshjet e tyre të fundit ndërkombëtare. Ndërsa nga ora 20:00 zhvillohet përballja tjetër çerekfinale mes Holandës dhe Argjentinës. Skuadra përfaqësuese e drejtuar nga Luis Van Gaal mposhti ShBA-në (3-1) për ta siguruar vendin e tyre në tetë të fundit, ndërsa kampionët e Amerikës së Jugut mundën Australinë (2-1) për t’i mbajtur gjallë shpresat e tyre për ta fituar Kupën e Botës.
Formacionet e mundshme:
Kroacia: Livakoviq; Juranoviq, Lovren, Gvardiol, Sosa; Kovaqiq, Brozoviq, Modriq; Kramariq, Petkoviq, Perisiq.
Brazili: Alisson; Militao, Thiago Silva, Marquinhos, Danilo; Casemiro, Paqueta; Raphinha, Neymar, Vinicius Jr; Richarlison.
Holanda: Noppert; Timber, Van Dijk, Ake; Dumfries, De Jong, De Roon, Blind; Klaassen; Gakpo, Depay.
Argjentina: Martinez; Molina, Romero, Otamendi, Acuna; Fernandez, De Paul, Mac Allister; Di Maria, Messi, Alvarez.