Sot zhvillohen dy ndeshje në Superligë

04 maj 2023 | 11:48

Dy ndeshje interesante do të zhvillohen sot në Superligën e Kosovës në futboll. Në kuadër të javës së 32-të, kampionia në fuqi e elitës, Ballkani e pret Prishtinën.

Ballkani nuk guxon të bëjë gabime nëse dëshiron  të vazhdon garën për titull, pasi është një pikë më pak se liderja, Drita. Nga ana tjetër, finalistja e Kupës, Prishtina do të kërkojë pikë në Suharekë për të mbetur në hap me Gjilanin, i cili është i treti, pozitë kjo që çon në Evropë.

Ndërsa Drita do të jetë mysafire e Llapit në “Zahir Pajaziti”. Llapjanët, edhe pse ne vendin e gjashtë, nuk janë dorëzuar ende dhe do ta synojnë Evropën deri në fund përmes kampionatit, pasi këtë radhë u eliminuan nga Kupa. Edhe “Intelektualët” i kanë bërë llogaritë e tyre dhe nga “Zahir Pajaziti” duan të kthehen me pikë të plota për ta ruajtur pozitën e lidershipit.

Dje, e mërkurë në kuadër të javës së 32-të në Superligën e Kosovës në futboll, fitore kanë shënuar tri skuadrat vendase: Gjilani, Ferizaj dhe Malisheva ndaj Dukagjinit, Drenicës dhe Trepçës ’89. Skuadra e Gjilanit ka realizuar fitore shumë të rëndësishme për pozitën e tretë ndaj Dukagjinit të Klinës me rezultat 2-0.  Golin e parë në ndeshje e realizoi sulmuesi Mevlan Zeka në minutën e 28. Mysafirët u munduan të rikthehen në lojë por, pa sukses. Shtatë minuta pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes, Ardin Dallku i Dukagjinit u përjashtua me karton të kuq dhe i vështirësoi punët e mysafirëve për ta gjetur golin e barazimit. Në anën tjetër, në minutat shtesë, Zeka realizoi edhe golin e dytë për vendasit për rezultatin final 2-0. Pas kësaj ndeshjeje, Gjilani përforcohet në pozitën e tretë me 50 pikë, derisa skuadra nga Klina është e pesta me 41 pikë.

Trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani, ka thënë se skuadra e tij fitoi me meritë ndaj Dukagjinit. “Mendoj se me plot meritë arritëm te ky trepikësh. I uroj futbollistët për fitoren. Falënderoj edhe tifozët që na mbështetën dhe shpresoj që deri në fund të na rrinë afër. Jemi afër Evropës, por duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Ramadani.

Në ndeshjen tjetër Ferizaj ka rrëmbyer tri pikë të plota në ndeshjen ndaj Drenicës së Skenderajt, pasi e ka mposhtur me rezultat 2-0. Pjesa e parë përfundoi pa gola të shënuara, derisa vendasit në fillim të pjesës së dytë kaluan në epërsi me golin e Krasniqit. Hussein i Drenicës u përjashtua me pas me karton të kuq, sikurse edhe Cakolli i Ferizajt. Ndërsa në minutën e 73-të Betim Haxhimusa realizoi golin e dytë për rezultatin final 2-0. Ferizaj tash ka grumbulluar 34 pikë, aq sa ka edhe Trepça ’89. Ndërsa Drenica vazhdon të jetë në fund të renditjes tabelore me 23 pikë. Fitore si vendase dhe tepër të vështirë ka shënuar edhe skuadra e Malishevës, e cila e ka mposhtur Trepçën ’89 me rezultat minimal 1-0. Golin për tri pikët e malishevasve e shënoi Tolaj në minutën e 32-të. Pas kësaj ndeshjeje skuadra e Bylbyl Sokolit ka 39 pikë dhe është në rrugë të mirë për të mbetur edhe një edicion në elitën e futbollit të Kosovës, derisa 89-shi zë pozitën e nëntë me 34 pikë.

SUPERLIGA

Gjilani  – Dukagjini                  2-0
Ferizaj – Drenica                      2-0
Malisheva – Trepça ’89           1-0

Të enjten takohen:
15:00 Ballkani – Prishtina
15:00 Llapi – Drita

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha, ka…