
Sot zhvillohen dy ndeshjet çerekfinale të Kupës
Sot (e mërkurë) dhe nesër (e enjte), do të luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll, ku edhe do të përcaktohen skuadrat gjysmëfinaliste të kësaj gare, që është rruga më e shkurtër për te trofeu dhe garat evropiane. Sot nga ora 13:00, janë dy ndeshjet e para çerekfinale, ku do të përballen Drenica-Ferizaj dhe Malisheva-Llapi.
Megjithatë, vëmendja do të jetë te dueli i skuadrave të Superligës, të cilat fokusin e kanë te Kupa e Kosovës dhe vikendin e shkuar u përballen në Superligë ku luajtën pa gola. Malisheva është e treta në Superligë me 34 pikë, 12 më shumë se Llapi që renditet i parafundit në tabelë. Edhe të enjten, gjithashtu janë dy ndeshje që startojnë në orën 13:00, ku do të përballen Vëllaznimi-Prishtina dhe Prishtina e Re-Drita.
Prishtina dhe Drita, ekipe që garojnë në Superligë, vlerësohen favorite përball Vëllaznimit e Prishtinës së Re që janë pjesë e Ligës së Parë.