Sot zhvillohen tri ndeshje në Superligë
Dy skuadrat e para të tabelës, Ballkani e Drita priten të kenë përballje të lehta sot, të paktën në letër.
Suharekasit luajnë të dielën në udhëtim te Feronikeli 74, duke e kërkuar fitoren e tetë kampionale, karshi dy barazimeve.
E në krahun tjetër, Nikli do të mundohet të shkaktojë befasi e të marrë rezultat pozitiv.
Tabelës pra i prin Ballkani me 23 pikë, kurse Feronikeli është i teti me 11 pikë.
Përballja e parë i kishte takuar therandasve bindshëm 2:0.
Përcjellësi më i afërt i Ballkanit, Drita këtë javë luan në shtëpi ndaj Lirisë, për t’i hakmarrë për atë barazim pa gola në sfidën e parë.
Të kaltrit nga Gjilani janë të dytit në tabelë me dy pikë më pak se ekipi i parë.
Interesante e të dy ekipeve është se Drita ka pesë fitore radhazi, derisa Liria pesë humbje radhazi. Prizrenasit në tabelë janë të parafundit.
Sfida e fundit luhet në Klinë, mes Dukagjinit e Llapit. Të besuarit e Tahir Batatinës do kërkojnë fitoren e dytë ndaj atyre të Armend Dallkut, në një terren tejet të vështirë.
Sa i përket klasifikimit, llapjanët gjenden të tretit më 19 pikë, plot shtatë më shumë se klinasit të gjashtit. Të tri këto ndeshje nisin nga ora 13:00.