Southgate: Ndeshja me Kosovën është kryesorja në grup
Përfaqësuesja e Kosovës e mposhti Republikën Çeke në kualifikimin e “Euro 2020”, me rezultat 2-1.
“Dayli Mail” shkruan se Kosova, e cila shpalli pavarësinë në 2008, pas viteve të konflikteve në ish-Jugosllavi, ka një shans të shkëlqyeshëm për të arritur në Kampionatin Evropian të verës së ardhshme dhe ky rezultat është një paralajmërim për trajnerin Gareth Southgate, në ndeshjen që pritet të zhvillohet mes Anglisë dhe Kosovës, të martën në Southampton.
Trajneri Southgate, ka shprehur vlerësime për paraqitjet e deritanishme të Kosovës në kuadër të Grupit A kualifikuese për “Euro 2020”, duke thënë se ndeshja kundër Kosovës do të jetë kryesorja në grup.
“Ndeshja me Kosovën është kryesorja në grup, sipas meje. Jam shumë i impresionuar me Kosovën. Janë një ekip i organizuar mirë, me lojtarë të mirë. E kanë pasionin e një kombëtareje të krijuar së fundi. Rezultati i tyre nuk më ka befasuar aspak. I kam parë që luajnë mirë edhe në ndeshjet paraprake. Me ta duhet të luajmë më mirë se ç’luajtëm me Bullgarinë. Do të jetë një test i mirë për ne, të martën”, ka thënë Southgate.