Southgate: Tifozët na kritikojnë edhe pse jemi kualifikuar
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, është ankuar për atmosferën e krijuar rreth kombëtares, sipas tij e pazakontë, pas barazimit 0-0 me Slloveninë. Një rezultat që i kualifikoi të dyja kombëtaret në fazën e 1/8-ave të “Euro 2024”.
Ndërkohë që lojtarët sllovenë festuan momentin historik me mbështetësit e tyre, trajneri dhe lojtarët anglezë u pritën me fishkëllima dhe hedhjen e gotave plot birrë kur iu afruan pjesës së stadiumit të Kolnit të rezervuar për tifozët e tyre. Vetë Southgate u vu në shënjestër të tifozëve, skena që kanë lënduar pa masë trajnerin e kombëtares së “Tre Luanëve”.
“Nuk kam parë asnjë skuadër tjetër të kualifikohet dhe të ketë një reagim të tillë. Unë jam shumë krenar për lojtarët për mënyrën se si ruajtën qetësinë në ndeshje. Jemi në një turne ku ka shumë sfidë e konkurrencë. Gjithsesi, nuk e kuptoj këtë atmosferë aspak të këndshme ku na duhet të punojmë”, ka thënë Southgate.