SpaceX nis astronautët e parë sauditë në një fluturim privat drejt stacionit hapësinor
Misioni i dytë privat në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës nisi të dielën duke transportuar një burrë dhe një grua saudite, qytetarët e parë nga vendi i tyre që udhëtonin drejt orbitës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, raketa e SpaceX Falcon 9 u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy në bregun lindor të Floridës në një mision të organizuar nga kompania Axiom Space.
Sauditët Rayyanah Barnawi dhe Ali Al-Qarni shoqërohen nga dy anëtarë të tjerë të ekuipazhit: ish-astronautja e NASA-s, Peggy Whitson dhe sipërmarrësi amerikan John Shoffner.
“Faleminderit për besimin tuaj në ekipin Falcon 9”, i tha ekuipazhit, kryeinxhinieri i SpaceX, Bill Gerstenmaier, pak minuta pas ngritjes.
Ekuipazhi do të kalojë rreth 10 ditë në bordin e ISS, ku duhet të mbërrijë rreth orës 9:25 të mëngjesit të së hënës.
“Duke qenë astronautja e parë grua saudite, që përfaqëson rajonin, është një kënaqësi dhe nder i madh”, kishte thënë Barnawi në një konferencë të fundit për shtyp.
Ajo shtoi se, përveç entuziazmit për kërkimin që do të kryejë në bord, ajo mezi priste të ndante përvojën e saj me fëmijët ndërsa ishte në ISS.
Ky nuk është misioni i parë i Arabisë Saudite në hapësirë.
Në vitin 1985, Princi Sultan bin Salman bin Abdulaziz, një pilot i forcave ajrore, mori pjesë në një udhëtim hapësinor të organizuar nga SHBA.
Por misioni hapësinor që përfshin një grua saudite është lëvizja e fundit e mbretërisë së Gjirit të pasur me naftë, ku gratë fituan të drejtën për të vozitur vetëm disa vjet më parë, për të rinovuar imazhin e saj ultrakonservator. /Telegrafi/