Spahiu: Të ndryshohet Ligji për Shërbimin e Jashtëm
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe në Turqi, Avni Spahiu, ka bërë me dije se duhet të ndryshohet Ligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se raporti në mes të ambasadorëve politik dhe atyre të karrierës nuk duhet të jetë 50 me 50.
Sipas tij, ndryshimi i ligjit duhet të parasheh që 70 për qind e ambasadorëve të jenë të karrierës, kurse 30 për qind politik.
“Ne e kemi krijuar ligjin e tillë, i cili lejon këtë raport të ambasadorëve politikë me ata të karrierës. Pasojat e atij ligji po i vuajmë edhe tani. Madje ka pasur rast që numri i ambasadorëve politikë ka shkuar deri në 70 për qind, pra përtej asaj që ka lejuar ligji. Ky problem do të vazhdojë me çdo qeveri që do të vijë, sepse baza ligjore është e tillë. Shpresoj se do të bëhet ndryshimi i ligjit aktual, pra të bëhet që 70 për qind e ambasadorëve të jenë të karrierës, kurse 30 për qind të jenë politikë”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë, ai ka kritikuar veprimin e institucioneve të politikës së jashtme të Kosovës për t’i liruar nga detyra 12 ambasadorë politikë.
Ai ka thënë se shkarkimi përnjëherë i këtyre ambasadorëve është i dëmshëm për diplomacinë e Kosovës.
Intervistë / Shkarkimi i ambasadorëve, i dëmshëm për diplomacinë