Spahiu thotë se marrëdhëniet Kosovë-SHBA nuk mund të prishen për shkak të një kryeministri
Profesor Nexhmedin Spahiu ka thënë se raportet në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk prishen për shkak të një presidenti a një kryeministri.
Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Spahiu ka thënë se SHBA-të kanë fuqi që nëse një president apo një kryeministër i vendit bëhet pengesë për ta, mund ta largojnë.
Kështu tha ai teksa në emision po diskutohet për raportet Kosovë-SHBA dhe vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit, e që për këtë të fundit pati reagime të shumta të ndërkombëtarëve, në veçanti të SHBA-ve të cilët kanë kërkuar shtyrje të vendimit.
“Nëse dëmi që shkaktohet që të shtyhet për një periudhë të caktuar është më i madh sesa sanksionet eventuale që mundemi t’i marrin nga Amerika, atëherë e largojmë dinarin, por nëse është e kundërta, atëherë duhet të shtyhet, por ne nuk jemi mësuar asnjëherë të bëjmë kalkulim me laps. SHBA-të nuk mund t’i prishin raportet me Kosovën për shkak të një presidenti a kryeministri. Nëse një kryeministër a një president bëhet pengesë, ata kanë fuqi që ta largojnë atë”, tha Spahiu.