SPAL-i shkarkon De Rossin
Edhe zyrtarisht Daniele De Rossi është shkarkuar nga SPAL-i. Drejtuesit e klubit italian të Serie B e morën vendimin pas rezultateve të fundit, pas tri humbjeve radhazi.
SPAL është aktualisht në vendin e tretë nga vendi i fundit, me 24 pikë. Ish-lojtari i Romës me shumë gjasa do të zëvendësohet nga Massimo Oddo, i thirrur për të nxjerrë SPAL-in nga kjo situatë krize.
“SPAL njofton se Daniele De Rossi është liruar nga detyra e trajnerit të ekipit të parë. Nga rolet përkatëse, së bashku me trajnerin De Rossi janë liruar edhe ndihmëstrajneri Carlo Cornacchia, bashkëpunëtorët teknikë Emanuele Mancini, Guillermo Giacomazzi dhe Marcos Alvarez, si dhe analisti i ndeshjeve Simone Contran. Klubi dëshiron të falënderojë trajnerin dhe anëtarët e stafit të tij për punën e bërë në muajt e fundit, duke iu uruar atyre fat të mirë profesional për të ardhmen e karrierës”, thuhet në njoftimin e klubit italian.