Spanca dhe Buleshkaj zotohen për bashkëpunim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit
Auditorja e përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, është pritur të premten në takim nga drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj. Me këtë rast, Spanca e ka uruar Buleshkajn për emërimin në krye të AKK-së, duke i dëshiruar suksese në realizimin e objektivave gjatë mandatit të tij.
Gjatë takimit, auditorja e përgjithshme ka shprehur përkushtimin e saj për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat me interes të përbashkët.
“Ky takim ishte një mundësi e mirë që të diskutojmë në terma konkret bashkëpunimin tonë ndërinstitucional në fushat me interes të përbashkët për Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, me theks të veçantë zbatimin e rekomandimeve të auditimit”, është shprehur Spanca.
Gjithashtu, Spanca e ka përgëzuar Buleshkajn dhe Agjencinë Kundër Korrupsionit për rezultatet e fundit të prezantuara nga Transparency International ku Kosova është vlerësuar se ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit.
Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Yll Buleshkaj, e ka njoftuar Spancën për objektivat strategjike me rastin e marrjes së detyrës duke theksuar nevojën e forcimit të bashkëpunimit në fushat e identifikuara me prioritet për AKK-në.
Vlora Spanca dhe Yll Buleshkaj janë zotuar për bashkëpunim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.