Spanja fillon vaksinimin e 30 mijë të pastrehëve
Spanja ka filluar të hënën një program të vaksinimit kundër Covid-19, për mijëra njerëz të pastrehë. Rreth 30 mijë të tillë nuk ishin të përfshirë më herët në këtë procesin e imunizimit ndaj koronavirusit.
Administrata spanjolle ka hartuar një plan në të cilin parashihet që të gjithë marrin vaksinën, edhe nëse jetojnë në rrugë, shkruan “Euronews”.
Radhët ishin të gjata në qendrën San Isidro, ku është duke u realizuar vaksinimi.
Angela Alfonsa, një banore 67-vjeçare ka thënë se është e lumtur dhe e lehtësuar që është duke u imunizuar.
“Tani që jam vaksinuar falënderoj zotin, jam lehtësuar shumë dhe falënderoj të gjithë mjekët dhe të gjithë ata që e kanë bërë të mundur”, ka thënë ajo.
Të pastrehët kanë qenë një nga grupet më të ekspozuara ndaj virusit, me qasje të kufizuar në maskat e fytyrës dhe higjienës së ulët. Vaksinimi i tyre ka paraqitur shumë sfida për autoritetet shëndetësore.
Drejtori i qendrës San Isidro, e ka mirëpritur këtë veprim.
“Ky është një përparim i shkëlqyeshëm sepse rreziku për të mos qenë në gjendje të gjesh personin për një dozë të dytë është mjaft i madh në rastin e popullatës së pastrehë”, ka thënë ai.
Spanja ka imunizuar 20 për qind të popullsisë së saj. Gati 90 për qind e njerëzve mbi 60 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër Covidit.