Spanja, kampione e botës në basketboll
Spanja është shpallur sot kampione e botës në basketboll për meshkuj. Kombëtarja iberike mundi 95-75 Argjentinën në finale, titulli i dytë në historinë e saj. Turneu u zhvillua për dy javë në Kinë.
Ndonëse pritej një ndeshje e fortë, finalja e luajtur sot në Pekin ishte një formalitet për Spanjën, që u shkëput që në periodën e parë dhe fitoi me meritë. Argjentina ishte në një ditë të keqe, duke mos mundur dot të rivalizojë. Spanja i fitoi të katërta periodat: 23-14, 20-17, 23-16, 29-28.
Më i miri në fushë për Spanjën ishte Ricky Rubio, që realizoi 20 pikë, mbështetur nga Sergio Llull me 15 pikë dhe Marc Gasol me 14 pikë, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Gabriel Deck për amerikano-latinët Spanja rikthehet kampione e botës pas 13 vitesh (2006). Duket se Azia e Largët i sjell fat kombëtares spanjolle, që edhe 13 vite më parë triumfonte në Japoni.
Ndërsa Kombëtarja e Francës në basketboll e ka mposhtur Australinë në garë për medaljen e bronztë në Botërorin “Kina 2019”. “Gjelat” shënuan fitore me rezultat 67-59 “Wukesong Arena” të Pekinit, për të marrë dy herë radhazi vendin e tretë në Botëror. Ishte De Colo ai që udhëhoqi Francën drejt këtij suksesi me 19 pikë, derisa 16 pikë shënoi Evan Fournier.