Spanja konfirmon për “El Pais” njohjen e pasaportës kosovare, nuk tregojnë arsyen pse ndërruan qëndrim
Gazeta spanjolle “El Pais” ka raportuar se Spanja ka konfirmuar se e pranon pasaportën e Kosovës, ndonëse nuk e njeh pavarësinë e saj.
Sipas raportimit të kësaj gazete, Komisioni Europian në prill kishte njoftuar se Spanja do të jetë i vetmi vend në zonën Schengen ku qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë.
“Spanja e ka pranuar si të vlefshme pasaportën e Kosovës përkundër faktit se nuk e njeh pavarësinë e këtij vendi…” – thekson gazeta spanjolle, duke u thirrur në burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme e nga Bashkimi Europian.
Pyetur nga EL PAÍS, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin”, shkruan gazeta spanjolle.
“Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Prishtinës me Bashkimin Evropian”.
“Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit Evropian”, vijon artikulli.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dje ka njoftuar se Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës.Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë.