Spanja kundër kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në BE
“Spanja nuk e njeh Kosovën, prandaj do të votojë kundër çdo vendimi procedural dhe dhënies së statusit kandidat të Kosovës”, ka thënë Pascual Navarro përfaqësues i Spanjës për Bashkimin Evropian (BE), gjatë paraqitjes së tij para Komisionit të Përbashkët për BE, të mbajtur në Senat.
Më tutje, ai ka shpjeguar se pasi Kosova të ketë dorëzuar zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim në Presidencën aktuale, në këtë rast Republikën Çeke, duhet të merret një “vendim procedural”, të cilin supozohet se Suedia do ta miratojë që nga janari si Presidencë e re.
Gjëja normale, ka vazhduar ai është që të kërkohet mendimi i Komisionit Evropian dhe më pas të debatohet për këtë çështje në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme dhe në fund të vendosin liderët evropianë në Këshillin Evropian.
“Qeveria nuk do të mbështesë kandidaturën në rrethanat aktuale dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar”, ka thënë sekretari i Shtetit të Spanjës për Bashkim Evropian.
Spanja është një nga pesë vendet e BE-së, së bashku me Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë, që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në përgjithësi, Navarro ka theksuar se qeveria “ka qëndrim konstruktiv” në lidhje me Ballkanin Perëndimor, mbështetë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ndërmjetësimin e BE-së dhe së fundi mbështet liberalizimin e vizave me Kosovën që edhe pse “është jo një shtet, është një territor me të cilin BE ka marrëdhënie”.