‘Spanja nuk do ta njohë Kosovën dhe do ta kundërshtojë aplikimin e saj për anëtarësim në BE’
Ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, ka thënë se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se kundërshton edhe aplikimin e saj në Bashkimin Evropian, si dhe çdo organizatë tjetër ndërkombëtare.
Molina para gazetarëve, në prag të takimit të Qendrës për Politika Evropiane për marrjen e kryesimit të BE-së “Nga Spanja në Belgjikë”, ka njoftuar se vendi i tij nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në gjashtë muajt e fundit si kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së në lidhje me aplikimin e Kosovës.
“Ne jemi në pritje të opinionit ligjor, i cili nuk ka ardhur dhe do t’i përcillet Belgjikës, si kryetare e radhës”.
“Është ndërprerë aplikimi i Kosovës, pritet një mendim juridik, siç thashë, por sigurisht Spanja nuk është pro, e as për ndonjë aplikim të Kosovës që të jetë pjesë e ndonjë organizate ndërkombëtare”, ka thënë ambasadori spanjoll, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”, duke shtuar se qëndrimi i Spanjës për Kosovën nuk do të ndryshojë.
Molina nuk ka mundur të thotë se cilat terma do të përdoren në konkluzionet e Këshillit të BE-së kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Ohrit dhe kapitullin 35 në negociatat me Serbinë, por është i bindur se do të ketë referenca për të.
“Sipas vetë asaj marrëveshjeje, ato duhet të jenë thelbi i kapitullit 35, por nuk e di se çfarë termash do të përdoren”, ka thënë Molina.