Spanja shkarkon trajnerin një ditë para nisjes së Botërorit
Spanja shkarkon trajnerin një ditë para fillimit të Botërorit të Rusisë. Ka qenë presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, ai që e ka njoftuar këtë vendim për mediet mesditën e kësaj të mërkure.
Gazetarët kanë pritur për më shumë se një orë daljen në konferencë të Lopetegui, por kjo nuk ka ndodhur. Në vend të tij ka folur presidenti Rubiales, që ka njoftuar shkarkimin e Lopetegui.
“Ne e falënderojmë Julen për gjithçka ka bërë. Falë tij ne jemi në Rusi, por jemi të detyruar ta shkarkojmë atë. Ky duhet të jetë një mesazh i qartë për të gjithë punonjësit e Federatës Spanjolle. Unë kam folur me të. Nuk do të ndjehem i tradhtuar, por problemi është se si ai ka bërë gjëra me mendjen e tij si trajner i Spanjës. I ka bërë këto veprime në mungesë totale të pjesëmarrjes së Federatës së Futbollit të Spanjës, duke negociuar dhe pranuar stolin e Real Madridit. Kjo është diçka që ne nuk mund ta injorojmë. Lopetegui është i patëmetë profesionalisht, por format e punës në kombëtaren tonë janë më të rëndësishme. Nga ky moment ne po kërkojmë një trajner, i cili do të marrë përgjegjësinë për ekipin kombëtar gjatë Kupës së Botës”, ka thënë Rubiales, raporton “Telesport”.
“Unë iu kërkoj të gjithëve që të na mbështesin, sepse po flasim për ekipin kombëtar spanjoll të futbollit dhe ne duhet të jemi së bashku. Ishte një moment i vështirë, Lopetegui iu tha lamtumirë lojtarëve, me të cilët ka shumë lidhje, por duhej ta merrnim këtë vendim. Ne kemi vepruar me ndërgjegje dhe me përgjegjësi të plotë. Ishte ajo që duhej të bënim. Të gjithë jemi shumë të pikëlluar në lidhje me këtë situatë. Lojtarëve iu kam dhënë shpjegimet e mia dhe më kanë mirëkuptuar. Angazhimi i tyre është i plotë dhe nuk kam asnjë dyshim se do të japin gjithçka, pavarësisht kësaj që ndodhi. Federata nuk ka qenë në gjendje të bëjë asgjë tjetër, gjithçka që ka ndodhur, nuk është zgjedhur prej nesh. Real Madridi po kërkon një trajner dhe po kërkon më të mirin, është e ligjshme, nuk do të them asgjë për këtë. Por trajneri, ndërsa është punonjës i Federatës Spanjolle, nuk mund të bëjë gjëra në këtë mënyrë. Unë e kam marrë vesh vetëm pesë minuta para njoftimit zyrtar. Kemi qenë të detyruar të marrim këtë vendim, nuk shikoj atë se si vepron një, ose një klub tjetër”, ka deklaruar Rubiales.