‘Spastrim etnik në Luginën e Preshevës’, gazeta gjermane ngre shqetësimin për shqiptarët atje
Një mbrëmje e freskët vere në Prishtinë, 14 gradë. Sheshi i kryeqytetit kosovar është i mbushur me vendas dhe turistë. Në tezgat e rrugës mund të blini misër të skuqur, kafe tradicionale dhe piktura të heronjve kombëtarë shqiptarë, si Skënderbeu apo Adem Jashari.
Pikërisht në qendër të qytetit ndodhet edhe Kino Armata, një ndërtesë e vjetër që na kujton të kaluarën jugosllave. Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, qëndron në shkallët e hyrjes së saj, i rrethuar nga një turmë njerëzish.
Sapo ka përfunduar premiera e filmave kosovaro-shqiptar “I Pabesi” dhe “Heshtja vret”. Fillimisht, filmat ishin planifikuar të shfaqeshin në Preshevë, rreth 55 kilometra larg nga Prishtina. Por, atje shfaqja e filmave u ndalua, sepse qyteti dhe Lugina e Preshevës ndonëse janë me shumicë shqiptare, i përkasin Serbisë. Arsyetimi zyrtar i dhënë nga autoritetet ishte se filmat nxisnin dhunë. Shqiptarët, megjithatë, thonë se arsyeja prapa kësaj është pasi autoritetet serbe se duan ta shtypin kulturën e tyre.
Derisa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i duhet të largohet menjëherë, ministri i Kulturës, Çeku, ka kohë për një bisedë me gazetarët e huaj. 40-vjeçari tregon se nuk habitet që është ndaluar shfaqja e filmave.
“Është vazhdimi i masave represive ndaj shqiptarëve në Serbi. Por, banorët e Luginës së Preshevës do të vazhdojnë të luftojnë për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar”, thotë ministri i Kulturës.
Në murin e shtëpisë pas tij është një mbishkrim i spërkatur ku shkruan “Dashuri ose urrejtje”.
Nëse udhëtoni në juglindje nga kryeqyteti kosovar, do të arrini pas pak më shumë se një orë, në pikën kufitare për në Luginën e Preshevës në Serbi.
Në shumë vende vazhdon të varet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore, simbol kombëtar i shqiptarëve. Në fakt, vendosja e flamurit shqiptar është e ndaluar dhe dënohet me disa mijëra euro. Por, kjo nuk i ndalon të gjithë.
Lugina është shtëpia e rreth 80.000 njerëzve, rreth 70 për qind e të cilëve janë shqiptarë etnikë. Statistikat e sakta nuk janë të disponueshme pasi në vitin 2011 u bojkotua regjistrimi i popullsisë. Lugina përbëhet nga qytetet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe nga fshatrat përreth. Në të kaluarën, politikanët dhe shoqëria kanë diskutuar vazhdimisht për bashkimin me Kosovën.
Që në vitin 1992, më shumë se 95 për qind votuan në një referendum për autonomi dhe bashkim me Kosovën. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2001, pas luftës së Kosovës, ekzistonte edhe një grup luftarak i rezistencës, i quajtur UÇPMB. Megjithatë, e gjithë kjo deri më tani nuk e ka ndryshuar situatën.
Si rezultat, shqiptarët mbeten në tokë të askujt, në kufi me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Rajoni, pak më i madh se Berlini për sa i përket sipërfaqes, është strukturalisht më i dobëti në Serbi, me papunësi të vlerësuar në 70 për qind. Shumë prej banorëve janë në gjendje të mbijetojnë vetëm përmes parave që marrin nga jashtë. Kudo qen dhe mace endacakë, fëmijët lypin deri në orët e vona të natës. Në disa vende në tabelat e rrugëve shihet vetëm shkrimi cirilik, ndërsa emri shqip është fshirë. Në vende të tjera, është pikërisht e kundërta.
Varfëria është veçanërisht e dukshme në deponitë në malet kufitare Kosovë-Serbi: në një sipërfaqe prej disa qindra metrash, peizazhi i gjelbër, përndryshe, është i mbushur me qese plastike, pajisje elektronike dhe dyshekë. Pavarësisht erës së fortë dhe mbeturinave të djegura, lopët kërkojnë ushqim, dhe njerëzit e varfër kërkojnë gjëra të dobishme.
Në afërsi të qytetit të Preshevës ka depoini të mëdha mbeturinash
Por nuk janë vetëm vështirësitë ekonomike ato që e bëjnë jetën më të vështirë. Prej disa vitesh ka një represion të qëllimshëm ndaj popullatës shqiptare. Këtë e tregon studimi i shkencëtares Flora Ferati-Sachsenmaier për Institutin “Max Planck”, i cili do të publikohet pas pak ditësh dhe është i disponueshëm ekskluzivisht për “Tagesspiegel”.
Sipas raportit, Beogradi i ka vënë vetes synimin që ta shtypë jetën shqiptare në Luginën e Preshevës sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë që gradualisht të krijojë një shumicë serbe. Si rezultat, Kosova nuk do të jetë më në gjendje të pretendojë rajonin për vete në negociatat e ardhshme për shkëmbimin e territoreve, shpjegon politologia.
Nga studimi rezulton se adresat e mijëra shqiptarëve janë fshirë sistematikisht gjatë viteve të fundit. Kjo praktikë quhet “pasivizimi i adresës së banimit” dhe është futur fillimisht në vitin 2011 për të parandaluar mashtrimin zgjedhor. Serbët etnikë, megjithatë, pothuajse nuk preken.
Ndërkohë, ligji po përdoret për të “arritur homogjenitetin etnik në Serbi”, shpjegon Ferati-Sachsenmaier. Duke pasivizuar adresën, të prekurit do të bëhen “pa shtetësi”, pasi të gjitha dokumentet si kartat e identitetit apo pasaportat do të humbnin vlefshmërinë e tyre. Për rrjedhojë, nuk është më e mundur, p.sh., të votosh në zgjedhje, të fitosh prona, të përdorësh shërbime spitalore ose të gjesh një punë.
Situata është veçanërisht dramatike në Medvegjë, ku gjithsej 4.214 persona janë pasivuar ndërmjet viteve 2011 dhe 2020 – nga një popullsi prej 7.438 banorësh. Shumica dërrmuese e tyre ishin shqiptarë. Kjo dha efektet në rezultatet e zgjedhjeve: derisa partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, mori dymbëdhjetë për qind të votave në zgjedhjet lokale në Medvegjë më 2012, ajo arriti 65 për qind tre vjet më vonë.
Ministri i Kulturës i Kosovës, Hajrulla Çeku, akuzon Beogradin për “spastrim etnik të shqiptarëve”. Serbia nuk ka mundur ta realizojë këtë në të kaluarën “përmes armëve, ndërsa tani po provohet me mjete administrative”. Ai e përshkruan Vuçiqin si një “autokrat të pastër” dhe vetë Serbinë si “faktorin më të madh të rrezikut në rajon”. Qeveria serbe nuk ka komentuar mbi këtë çështje në përgjigje të kërkesave të përsëritura nga “Tagesspiegel”. Por çfarë mendojnë vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Në një periferi të qytetit të Bujanocit është fshirë emri shqiptar – ndoshta nga nacionalistët serbë
Nëse flisni me të prekurit, vëren se shumë prej tyre nuk e kishin më qendrën e jetës në Serbi në momentin e pasivizimit. Ata kishin emigruar në Evropën Perëndimore ose kishin jetuar në Kosovë disa muaj në vit. Edhe pse Luginën e Preshevës e konsideronin shtëpinë e tyre, pjesa më e madhe e jetës së tyre u zhvillua diku tjetër.
Por ekziston edhe rasti kur njerëzit janë fshirë edhe pse nuk ishin larguar kurrë nga Serbia. Këtu përfshihet edhe Donika Berisha, emri i vërtetë i së cilës është ndryshuar dhe kërkon vetëm të flasë në mënyrë anonime për rastin e saj. Të martën herët në mëngjes, 57-vjeçarja dhe bashkëshorti i saj na ftojnë në një bisedë në periferi të Preshevës.
Ajo u rrit këtu në qytet, u martua, pati fëmijë. Ajo e kaloi tërë jetën në Serbi. E megjithatë, vitin e kaluar, autoritetet deklaruan se ajo nuk jeton më në Preshevë dhe ia fshinë adresën.
Bie në sy nervozizmi i Berishës. Perdet e dhomës së ndenjes janë të vizatuara, në mur është varur një tablo që bashkon trevat shqiptare të Ballkanit. Kjo e bën të qartë se për çfarë i rreh zemra asaj. Ajo shpjegon se nuk ka serb etnik në rrethin e saj të miqve apo të njohurve.
“S’ka ndihmë prej tyre, kështu që nuk kam nevojë për asnjë kontakt”, thotë Berisha, ndërsa televizioni i Kosovës shihet në sfond.
Ajo ishte fshirë nga regjistrat për tre muaj dhe praktikisht kishte pushuar së ekzistuari. Gjatë kësaj kohe ajo mezi ka dalë nga shtëpia dhe më kot ka tentuar të kontaktojë me autoritetet. Mirëpo, ata kishin bllokuar gjithçka, pasi afati prej tetë ditësh kishte skaduar dhe nuk mbanin më përgjegjësi. Berisha u rikthye në sistem vetëm përmes bashkëshortit dhe “disa favoreve”.
Enkel Rexhepi është nënkryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi
“Pa ndihmë ndoshta do të kisha mbetur përgjithmonë pa dokumente, unë vetë nuk kisha asnjë shans”, thotë Berisha.
Për disa, një fat i tillë është pjesë e jetës së përditshme politike.
Enkel Rexhepi është nënkryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe merret me çështjen e të drejtave të pakicave në Serbi. 36-vjeçari me flokë të shkurtra dhe mjekër na pret në sallën e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar në Preshevë. Ai vesh një bluzë dhe xhaketë ulliri – që ta kujton presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Edhe Enkel Rexhepi gjen fjalë drastike për situatën. Ai akuzon shtetin serb për “aparteid” se është “e njëjta politikë si në kohën e Millosheviqit, vetëm me mjete më moderne”.
Prandaj Këshilli Kombëtar Shqiptar i është drejtuar edhe Kongresit Amerikan dhe Këshillit të Evropës. Të dyja këto institucione kishin siguruar se do ta merrnin në shqyrtim këtë çështje.
Megjithatë, shqiptarët në Serbi ndihen të braktisur nga Tirana.
“Kushtetuta e Shqipërisë parasheh që shteti duhet të ngrihet për të gjithë shqiptarët në botë. Por kjo nuk po ndodh sa duhet, thjesht nuk kemi mbështetje të mjaftueshme”, thotë Rexhepi.
Ai dhe Donika Berisha nuk besojnë se problemi do të zgjidhet së shpejti e as që Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës. Prandaj, në vitet e ardhshme, ata ndoshta do të mbeten në tokën serbe të askujt./TAGESSPIEGEL