SPD-ja arrin marrëveshjen për koalicion në Gjermani, CDU/CSU pas 16 vitesh shkon në opozitë
Socialdemokrati Olaf Scholz të mërkurën iu afrua edhe më shumë qëllimit për t’u bërë kancelar i Gjermanisë, pas arritjes së marrëveshjes për koalicion që synon ta modernizojë ekonominë më të madhe evropiane, ta përshpejtojë tranzicionin drejt energjisë së gjelbër dhe përfundimit të epokës së Merkelit.
SPD-ja tha se do ta paraqesë marrëveshjen trepalëshe me Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë në një konferencë për gazetarë në orën 15:00 në Berlin pas dy muajve bisedime, shkruan Reuters.
Kjo marrëveshje pritet ta krijojë koalicionin e parë trepalësh qeveritar që nga vitet e pesëdhjeta dhe t’u japë fund 16 vjetëve të qeverisë konservatore të udhëhequr nga Angela Merkel, duke shënuar një periudhë të re të raporteve me Evropën dhe me pjesën tjetër të botës.
Aleanca, e quajtur ndryshe edhe koalicion i semaforit për shkak të tri ngjyrave të partive, e ka shumicën e ulëseve në dhomën e ulët të Kuvendit të Gjermanisë dhe shpreson se qeveria do të votohet në fillim të dhjetorit, pasi palët ta miratojnë marrëveshjen e koalicionit.
Qeveria e re do të përballet me sfida të menjëhershme, pasi Gjermania po e pëson valën më të rëndë të pandemisë, ndërsa Evropa po përballet me rënie pas largimit të Britanisë, e kufijtë lindorë të BE-së po sfidohen nga kriza me emigrantë.
Disa analistë politikë kanë frikë se partitë e koalicionit të ri do të kenë vështirësi për t’i tejkaluar dallimet ideologjike, që do të mund ta paralizonin BE-në, bllok në të cilin Gjermania është forcë drejtuese.