Specialisti: Barnat veç shkop ku pacienti mbahet, ndryshojeni stilin e jetesës!

28 prill 2025 | 08:55

Sëmundjet kronike jo ngjitëse si hipertensioni dhe diabeti po prekin gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos me rritjen e moshës, vë në dukje specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismajli.Ai në një intervistë për Ekonomia Online, tha se shkaktarët kryesorë janë ushqimi jo i shëndetshëm, pasiviteti fizik dhe stresi i përditshëm.

“Sëmundjet kronike jo ngjitëse si hipertensioni dhe diabeti shpeshherë shfaqen bashkë. Ka një numër të madh pacientësh që vuajnë nga të dyja këto sëmundje dhe kjo rritet me moshën. Sa më të moshuar të jenë, aq më shumë gjasa kanë të kenë të dy këto probleme. Janë sëmundje të kohës, të lidhura ngushtë me mënyrën e ushqimit: konsum i madh i kripës, i yndyrërave, i sheqerit dhe mungesa e aktivitetit fizik. Këta faktorë çojnë në obezitet dhe rritje të shtypjes së gjakut,” thotë ai.

Sipas dr. Rushit Ismajlit, trajtimi me barna është i domosdoshëm, por nuk mjafton.“Barnat janë vetëm një shkop, ku pacienti mbahet. Sëmundja kronike është një sëmundje që zgjat dhe nuk është ngjitëse. Kur vendosim diagnozën dhe trajtimin me barna, këto duhet të merren për një kohë të gjatë, ndonjëherë për tërë jetën. Ajo që u them gjithmonë pacientëve është se mënyra më e mirë për ta trajtuar hipertensionin dhe diabetin është përmes ndryshimit të stilit të jetës, dietës dhe ushtrimeve fizike”.

Ismajli bën thirrje për një dietë të shëndetshme, aktivitet fizik të rregullt dhe konsum të mjaftueshëm të ujit. Ai përmend edhe rëndësinë e dhomave këshillimore që kanë filluar të përhapen, të cilat ofrojnë udhëzime për ushqyerje dhe aktivitet fizik, gjë që ndihmon në uljen e shtypjes së gjakut dhe stabilizimin e nivelit të sheqerit.

“Përpiqemi t’i zbulojmë këto sëmundje në faza të hershme. Ka metoda të veçanta për të dalluar shenjat e komplikimeve që prekin sistemin kardiovaskular, enët e gjakut, shikimin dhe veshkat. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mjekohen me kohë këto probleme, për të shmangur pasoja të rënda si infarkti, dëmtimi i veshkave, dëmtimi i syve apo amputimet. Kur arrijnë këto komplikime, është shumë vonë”, tha specialisti i mjekësisë familjare.Ai nënvizon se është më mirë që trajtimi të fillojë sa më herët.

“Kjo është një sëmundje globale dhe kudo flitet për rritjen e rasteve me hipertension dhe diabet. Kjo ndodh, sepse njerëzit janë bërë më pak aktivë dhe ushqehen me ushqime jo të shëndetshme. Një dietë e balancuar me perime është një nga më të mirat. Nuk është e nevojshme të hiqen të gjitha ushqimet, por duhet konsumuar gjithçka me masë. Po ashtu, rekomandohet të pihen sasi të mjaftueshme uji, ndërsa kafja dhe çaji të konsumohen pa sheqer,” përfundon Ismajli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpenzimet botërore ushtarake arritën në 2718 miliardë dollarë në vitin…