Specialisti Sami Rustemi boton libër për MRI-në

01 gusht 2018 | 11:09

Specialisti i radiologjisë diagnostike, i mjekësisë nukleare, i radio-onkologjisë, Sami Rustemi (1974, Gjilan) ka publikuar librin “Bazat dhe ekzaminimet në MRI”, i cili në gjuhën shqipe është shumë i rrallë për shkak se shërbime të MRI-së (Tomografi të Rezonancës Magnetike) në Kosovë kanë nisur të bëhen shumë vonë, kryesisht në klinika private.

Ky libër, “Bazat dhe ekzaminimet në MRI”, është ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë lexuesit i ofrohet njohuri bazike, kurse në pjesën e dytë janë përmbledhur metodat teknike se si duhet të realizohen ekzaminimet në tomografinë e rezonancës magnetike TRM (MRI).

MRI (Magnetic Resonance Imaging/Tomografia e Rezonancës Magnetike) është një ndër metodat më të reja dhe më të përhapura në rrafshin e diagnostikës, e cila mundëson paraqitje të strukturës dhe funksionit të indeve dhe organeve të trupit nga brendësia, pa intervenuar nga jashtë. Këtu kemi të bëjmë me një fushë shumë të fortë magnetike, e cila shtrihet në zonën e frekuencave të radios.

Rezonanca magnetike mbërthen në vete teknologji të avancuar dhe na mundëson vizualizimin e organeve të trupit përmes një kontrasti të lartë. Thënë më shkurt, MRI paraqet shpërndarjen e ujit (lëngut) në trup.

Bazat e MRI-së në këtë libër janë sqaruar në formën më të shkurtër, me arsyetimin që lexuesi ta kuptojë bërthamën e rezonancës magnetike në rrafshin e diagnostikës.

Duhet theksuar se kompani të ndryshme që merren me teknologjinë mjekësore në vazhdimësi janë duke hulumtuar për ta avancuar dhe zhvilluar teknologjinë e tomografisë së rezonancës magnetike.

Në këtë libër studimor dhe praktik janë paraqitur disa prej ekzaminimeve të pacientëve të bëra në spitalet në Zvicër, aty ku ka punuar dhe punon autori i këtij libri. Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”, kurse mund ta gjeni në librarinë “Artini” në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sulmuesi i Bayern Munchenit, Giovane Elber, ka insistuar se ai…