Specializantët e mjekësisë: Kërkesat tona kanë hasur në neglizhencë totale institucionale
Edhe sot specializantët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Ata kanë protestuar pasi kërkesa e tyre që tu paguhen orët e kujdestarive është refuzuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa.
Derisa ata kanë protestuar para objektit të MSh-së nuk kanë arritur të takohen me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, por kanë marrë zotimin nga njëri nga këshilltarët e tij që i ka pritur në korridorin e ministrisë duke u premtuar se një takim me ministrin Latifi, specializantët do të mund ta zhvillojnë javën e ardhshme.
Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të Specializantëve është shprehur se kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe në një neglizhencë institucionale.
“Arsyeja për protestë është për shkak se kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër dhe janë shpërfillur në nivel institucional, kjo është brenda 8 ditëve kjo është protesta e dytë që ne e organizojmë dhe do vazhdojmë me protesta derisa kërkesat tona të realizohen. Nuk duam t’i japim kahje politike protestës sonë jemi mjek të rinj dhe specializim jemi njerëz me halle dhe ne si mjek të rinj punojmë vetëm në sektorin publik dhe jo atë privat dhe për këtë arsye mbështetja jonë dhe mbijetesa jonë varet nga paga që marrim në sektorin publik. E vërteta është se ne nuk kemi kurrfarë mbështetje nga institucionet ka neglizhencë totale institucionale gjatë këtyre 2 javëve të cilat ne kemi bërë kemi pasur takim me komisionin për shëndetësi dhe aty na është thënë se kërkesat tona janë të realizueshme por krejt varet se sa ekziston sa ekziston vullneti politik në mes të kryeministrit, ministrit të Financave dhe atij të Shëndetësisë”, ka thënë Zajmi.
Ai ka thënë se në një takim që kanë zhvilluar me ministrin e Financave, Hekuran Murati ka qenë dëshpërues dhe zhgënjyes.
“Na është thënë që nuk ka kurrfarë plani nga ministria e Financave që kërkesat tona të plotësohen dhe na është thënë se nëse është në interesin tonë të largohemi nga ky vend të largohemi, por edhe përkundër faktit që takimi ka qenë zhgënjyes jemi prapë të motivuar dhe për këtë arsye kemi dal me protestua”, ka thënë Zajmi.
Ndërsa Amire Damolli, specializante e kirurgjisë plastike ka shprehur shqetësimin se shumë kolegë të saj që kanë mbajtur kujdestari në klinikat Covid nuk janë paguar asnjë cent.
Madje, sipas saj ka edhe kolegë të tjerë të cilët përkundër që kanë mbajtur 120 kujdestari nuk janë paguar.
“Ne i mbajmë diku 120 orë kujdestari jashtë orëve të rregullta që i kemi nga e hëna deri të premten që janë 40 orë pune në javë këto 120 orë të kujdestarive neve mua personalisht sepse jam e rregullt më paguhen 79 cent për 120 orë kujdestari kurse kolegëve të mi që të cilët nuk kanë ‘M-cod’ iu paguhen zero cent, kolegët e mijë të cilët kanë m-cod kanë mbajtur kujdestari edhe në klinikat Covid dhe nuk janë paguar, nuk kanë marr as shtesa dhe as pagë”, ka thënë ajo.
Kurse Besnik Ibishi, specializant i radiologjisë i ka konsideruar të realizueshme dhe esenciale kërkesat e tyre. Sipas Ibishit procesin e vaksinimit e kanë ndihmuar specializantët ndërsa ata ende nuk janë paguar për orët shtesë që kanë kontribuar në këtë proces.
“Numrin kaq të madh të popullit që kemi të vaksinuar është fal specializantët pasi të gjithë specializantët janë angazhuar 1 deri 2 muaj gjatë procesit të vaksinimit, MSh-ja realisht na ka angazhuar gjatë procesit të vaksinimit edhe vikendeve kemi punuar 7 ditë në javë dhe përkundër një vendimit të marr nga MSh-ja për kompensim të orëve shtesë ka kaluar gati 3 muaj që kjo nuk është realizuar”, ka thënë Ibishi.
Më tutje, Dion Musliu, specializant në Klinikën e Ortopedisë, ka thënë se javën e ardhshme presim të zhvillojnë takim me ministrin Latifi.
Nëse nuk do të ndodhë takimi, Musliu ka paralajmëruar protesta tjera derisa në realizimin e kërkesave të tyre.
“Na u tha që do të na pres në një takim në javën tjetër dhe kanë me na lajmëruar që do na takojnë sa më herët deri për momentin nuk kemi ndonjë zgjidhje tjetër përveçse të paralajmërojmë edhe protestat tjera në javën e ardhshme nëse nuk takohemi dhe nëse nuk ofrojnë zgjidhje. Sipas këshilltarit të ministrit është duke u angazhuar që të gjej zgjidhje për problemin tonë por ne nuk mund të ndalemi derisa ky problem mos të zgjidhet në letër”, është shprehur Musliu.
Edhe javën e kaluar specializantët e gjithë sektorit publik shëndetësor kanë protestuar me kërkesat që mjekët e rinj që janë me vetëfinancim të kthehen në të rregullt dhe të gjithëve tu paguhet kujdestaria sidomos gjatë vikendeve.