Specializantët paralajmërojnë protesta dhe ikje jashtë vendit
Pagesa nga ana e qeverisë për specializantët me vetëfinancim prej janarit deri në gusht ka shkaktuar pakënaqësi te këta të fundit.
Arianit Zajmi, kryetar i Këshillit të Specializantëve, në një intervistë për Ekonomia Online tha se nëse deri më 21 janar nuk u realizohen kërkesat e premtuara nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, do të dalin në protesta.
Sipas tij, ata po kërkojnë pagesa të dinjtetshme e jo subvencione për të cilat nuk janë të sigurt se do t’i marrin.
“Është shumë e vërtetë që dje është marr vendimi për subvencione për kategorinë e specializantëve dhe ky vendim nuk na ka pëlqyer neve aspak për shakë se bie ndesh me kërkesat tona dhe bie ndesh me të drejtat tona elementarë e që janë që ne të paguhemi dinjitetshëm të marrim pagat në fillim të muajit e jo të presim kur po na dalin apo s’po na dalin fare”.
“Do presim deri me datën 21 dhe nëse nuk ja diçka konkrete atëherë do të rikthehemi protestave dhe rrugëve. Ne para së gjithash jemi njerëz, profesionist shëndetësorë, jemi mjek që kontribuojnë për shëndetin e kësaj popullate dhe mund të them se nuk e meritojmë me u trajtuar me subvencione që praktikisht janë skema sociale”.
Ai thotë se janë të pasinqerta pohimet se po punohet që mjekët të mos ikin nga Kosova ngase, siç thotë ai, vendime të tilla veçse po i nënçmojnë dhe nuk po u japin zgjidhje tjetër, pos ikjes.
“Është interesant se me njërën anë po flitet për me ndalur ikjen dhe në anën tjetër po merren vendime të cilat neve na nënçmojnë dhe në një far forme nuk na japin zgjidhje tjetër veç se të largohemi dhe të kalojmë për shkollim dhe specializim jashtë vendit”.
Ai ka treguar dy kërkesat që i kanë parashtruar ministrit Latifi, që të fitojnë statusin e specializantit të rregullt dhe që të paguhen kujdestaritë.
“Kërkesat e specializantëve janë që me subvencione të fitojnë statusin e specializantit të rregullt, të marrin paga në mënyrë të rregullt siç i marrin të gjithë punëtorët në Kosovë”.
“Dhe kërkesa e dytë është të paguhen, kujdestarit sepse na mbajmë ka 5 apo 6 kujdestari brenda muajit dhe ne marrim pagë vetëm për 2 dhe nuk di a ka ndonjë vend tjetër në botë ku punëtorët shëndetësor punojnë me nga kujdestari në 24 orë dhe nuk marrin asnjë cent për kujdestari”.
Ndërsa Antigona Kukaj nga Mali i Zi tha se janë vetëm nëntë specializantë nga ky shtet, por edhe Maqedonia dhe Shqipëria që nuk kanë qenë pjesë e skemës së subvencionimit edhe pavarësisht faktit që kanë aplikuar njëjtë si të tjerët.
Madje ajo tha se për gjatë muaj i është dashur të pezullojë specializimin për shkaqe ekonomike.
“Unë asnjëherë s’kam qenë në skemën e subvencioneve, gjithashtu siç janë edhe kolegët e mi nga Maqedonia dhe Shqipëria nuk e di për çfarë arsye, por vetëm ne nëntë veta nuk kemi qenë asnjëherë dhe as nuk jemi në skemën e subvencioneve. Si duket as këtë radhë nuk jemi dhe ky është një shqetësim për mua për arsye se unë edhe jam detyruar të pezullojë specializimin për gjashtë muaj në pamundësi të kushteve ekonomike për të vazhduat dhe me shpresën se Ministria dhe Qeveria e Kosovës të marr ndonjë vendim për neve”.
“Do të doja që Ministria e Shëndetësisë ashtu siç i trajton specializantët e tjerë të na trajtojë edhe neve, sepse është një numër shumë i vogël dhe nuk besoj që është ndonjë barrë e madhe për Qeverinë e Kosovës e po ashtu për Ministrinë e Shëndetësisë që ne specializantët që asnjëherë nuk kemi marr skema e 600 tjerë kanë marr, të na trajtojnë njësojë të gjithëve, dhe çdo vendim të merret edhe për neve njësojë sepse kemi nënshkruar të njëjtat kontrata, i jemi nënshtruar të njëjtit konkurs dhe duhet t’i ndajmë punët dhe përgjegjësitë si të gjithë të tjerët”, tha ajo.
Sami Penishi specializant i Neurokirurgjisë, tha në një intervistë për Ekonomia Online se pas datës 21 janar u kanë mbetur vetëm dy zgjidhje, të ikin jashtë vendit ose të dalin në protesta.
“Dje në mbledhje kemi takuar një takim të radhës me ministrin dhe të shohim se cilat janë hapat dhe deri ku arrit ministri karshi kërkesave në takimin paraprak me ministrin”.
“Ne kërkojmë një takim dhe të shohim çka është bë për shkak që vendimi që nuk i përfshin krejt specializantët nuk është ajo çka ne kemi kërkuar dhe jemi pajtuar me ministrin. Pas datës 21 kemi veç dy zgjidhje ose me dal jashtë ose me dal në rrugë prapë”.