Specialja: Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike
Nga publikimi i dosjeve që të martën kanë arritur në zyrat e OVL-së së UÇK-së, u tha se në to paraqiteshin draft-aktakuza për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
Ndërsa nga Dhomat e Specializuara, për RTV Dukagjinin thonë se deri më tani asnjë aktakuzë nuk është publike, dhe se deri në momentin e publikimit ato do të mbesin sekrete.
Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka thënë për RTV Dukagjinin, se deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike.
“Deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike, dhe derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj.
Për shembull, rregulli 88 parashikon që gjyqtari i procedurës paraprake mund të urdhërojë mos zbulimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangur ndërprerjet në procedurë.
Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës”, deklaroi Michael Doyle.