
‘Specialja do të ketë pasoja të pariparueshme nëse rrimë anash e bëjmë sehir’
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës sot është edhe një herë vulë për natyrën e Gjykatës Speciale.
“Gjykata, edhe nëse s’ka asgjë, e ka ‘Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale’. Filloi si akuzë për trafik organesh, sepse kështu nisej urgjenca për themelim. Po përfundon me ‘Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale’ si formulim-mekanizëm për dënim. Kjo gjykatë është dizajnuar për dënim”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.
Ai ka theksuar se vitet ‘98-‘99 ngadalë po bëhen argument për Serbinë. ‘ “Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale’ është instituti kriminalizues për luftën e UÇK-së. Aty fillon akuza për motivet, përmes saj janë sajuar standarde të veçanta të gjykimit.
“Gjykata Speciale është pasojë direkte e reaksionit të brendshëm ndaj UÇK-së. Shumë reaksion është prodhuar për këto vite. Gjykata Speciale nuk është një mekanizëm para të cilit dëshmohet virtyti e vërtetësia e luftës. Gjykata Speciale do të ketë pasoja të pariparueshme nëse rrimë anash e bëjmë sehir”, ka shkruar Molliqaj.