Specialja e lexon serbisht Kushtetutën për t’i akuzuar liderët e UÇK-së
Liderët e UÇK-së janë duke u akuzuar nga Gjykata Speciale si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Këtë koncept penalo-juridik, avokatët e të akuzuarve kanë thënë se gjykata nuk ka bazë të vlefshme ligjore për ta zbatuar. Por, Gjykata Kushtetuese e Speciales ka argumentuar ndryshe në një vendim të fundit, duke i dhënë përparësi versionit serbisht të një neni në Kushtetutën e Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën e ka hedhur poshtë ankesën e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi se po akuzohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Thaçi, Veseli e Krasniqi janë ankuar se po u shkelen të drejtat themelore në procedimin penal kundër tyre në Gjykatën Speciale. Veçanërisht, ata kishin ankesa specifike se po u shkelen të drejtat sipas nenit 33 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 7 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kushtetuesja në Hagë ka vendosur t’i shqyrtojë bashkë të tri ankesat dhe kryetari i trupit gjykues, Vidar Stensland me gjykatësit Roumen Nenkov dhe Romina Incutti kanë konstatuar se pika 1 e nenit 33 të Kushtetutës së Kosovës është e shkruar ndryshe në shqip, dhe ndryshe në serbisht.
“Prandaj del se neni 33 (1) i Kushtetutës është formuluar ndryshe në shqip dhe ndryshe në serbisht. Për qëllimet e referimeve, ndryshimi i rëndësishëm është se teksti në shqip i referohet ‘të akuzuar’ dhe teksti në serbisht – ‘shpallur fajtor’”, është thënë në vendim.
Pika 1 e nenit 33 të Kushtetutës, në shqip, flet për parimin e legalitetit dhe proporcionalitetit në rastet penale.
“Askush nuk mund të akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër e cila, në momentin e kryerjes, nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale, me përjashtim të veprave të cilat, në kohën e kryerjes së tyre, sipas së drejtës ndërkombëtare, përbënin gjenocid, krime lufte ose krime kundër njerëzimit”, thotë kjo pikë e Kushtetutës.
“Parashtruesit nuk janë ‘shpallur fajtor’ për veprat penale në fjalë. Prandaj, ata mund të kenë ose nuk mund të kenë të drejtë, në këtë fazë të procedurës penale të pretendojnë se janë viktima të shkeljes së pretenduar të nenit 33(1) të Kushtetutës”, ka thënë Gjykata Kushtetuese e Speciales në vendim.
Gjykata ka theksuar se shqipja edhe serbishtja janë “gjuhë zyrtare në Kosovë”. Prandaj, trupi gjykues ka vlerësuar se “Gjykata duhet të kthehet në një metodë tjetër të interpretimit të kushtetues”. Duke e bërë këtë, trupi gjykues ka thënë se “Dhoma duhet të jetë e kujdesshme që të mos e bëjë këtë duke krijuar një normë të re kushtetuese, por ta sqarojë përmbajtjen e normës ekzistuese”.
Sipas kësaj gjykate, Kushtetuesja e Kosovës ka interpretuar dispozitat kushtetuese për të drejtat dhe liritë themelore në përputhje me praktikat gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GjEDNj). Prandaj, Kushtetuesja në Hagë thotë se “asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet mekanikisht”.
Kushtetuta e Kosovës, sipas këtij vendimi, duhet lexuar e interpretuar në përputhje me praktikat e GjEDNj-së.
“Nga kjo rrjedh se neni 33(1) i Kushtetutës, i interpretuar në përputhje me praktikat gjyqësore të GhEDNj-së, duhet të lexohet se i referohet të mos “mbahet fajtor””, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Kjo gjykatë thekson se neni 7 i Konventës dhe neni 15 i GJEDNJ “kanë statusin e normave të rangut kushtetues dhe janë pjesë përbërëse e Kushtetutës”, prandaj, vendimi thotë se pika 1 e nenit 33 të Kushtetutës “duhet lexuar në lidhje me këto dispozita”.
Për më tepër, Gjykata Kushtetuese e Speciales teksa rendit çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës dhe normat e gjykatave e konventave evropiane, thekson se “edhe nëse do të kishte një konflikt mes të dyja të drejtave të njeriut, mbizotërojnë standardet e përcaktuara në praktikën gjyqësore të GjEDNj”.