Specialja, Lushtaku: Kolegët e mi janë të pafajshëm, do kthehen më të fuqishëm se kurrë
Sami Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së dhe nënkryetar i PDK-së, ka folur pas aktakuzave të ngritura dhe pas paraqitjes të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale të Hagës.
Lushtaku ka thënë se në kohën kur vendi ishte i përfshirë nga lufta, e vetmja gjë që u vinte në mend luftëtarëve të UÇK-së në mendje ishte vdekja.
“Në atë kohë kemi menduar vetëm vdekjen. E kemi ditur 100 për qind që jemi të vdekur. Për ne me rëndësi është që Kosova sot është e pavarur. Është e dhimbshme që kjo gjykatë, dhe të tjera në Kosovë, sepse ne po konsiderojmë që Serbia ka kryer krimet dhe gjenocidin në Kosovë dhe faturat po i paguajmë ne në Kosovë. Nuk është Hashim Thaçi apo Kadri Veseli, apo Jakup Krasniqi a Rexhep Selimi problem, problem sot është Kosova”, ka thënë ai.
Po ashtu, Lushtaku theksoi se qëllimi i UÇK-së nuk ka qenë asnjë herë shënjestrimi i qytetarëve serbë, përkundrazi.
“Qëllimi nuk ka qenë asnjëherë qytetarët serbë. Ne nuk kemi deshtë që ta ndjekim situatën e Milllosheviqit. Ne nuk kemi deshtë që vuajtjet e fëmijëve e brezave që kanë kaluar raste të renda në Kosovë, ta kenë fatin fëmijët serb në Kosovë. Ne duam që shteti i Kosovës të jetë funksional. Ne duam që qytetarët serbë në Kosovë të jetojnë si ne dhe fëmijët tanë në Kosovë”, është shprehur Lushtaku.
Lushtaku ka deklaruar se shqiptarët e Kosovës kanë qenë të ethshëm për drejtësi.
“Sepse kjo na ka munguar. Nuk e kemi pritur që pjesëtarët e UÇK-ë, pa argumente dhe pa fakte të dënohen. Në këtë rast, ne kemi pasur disa gjykata në Kosovë…Dhe kemi një gjykatë speciale për krime luftë në Kosovë. Pjesëtarët e UÇK-së, kanë qenë nëpër gjykata dhe nëpër banka si të akuzuar për krime lufte. Mendoj që 90 për qind të tyre kanë qenë të pafajshëm. Edhe unë jam dënuar me 12 vite burgim dhe pas katër viteve jam shpallur i pafajshëm. Besoj se kolegët e mi në Hagë, janë të pafajshëm. Ata do kthehen më të fuqishëm seç kanë qenë”, ka thënë Lushtaku për “Abcnews”.