Specialja merr sot vendim për Shalën, Januzin dhe Bahtijarin

04 shkurt 2025 | 15:34

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, sot merret vendimi mbi pranimin e fajësisë nga Haxhi Shala, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me pengim të drejtësisë.

Shala, Januzi dhe Bahtijari e pranuan fajësinë për frikësim të dëshmitarëve dhe për pengim të drejtësisë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë e Specializuar për pranim të fajësisë në fund të dhjetorit 2024.

Në marrëveshjen e tyre me Prokurorinë, Shala u pajtua me një dënim deri në tri vjet burgim, Januzi me një dënim nga 24 deri në 30 muaj, ndërsa Bahtijari u pajtua se, në rast se gjykata e dënon me dy vjet burgim ose më pak, ai nuk do të ketë të drejtë apeli ndaj vendimit.

Që të tre akuzoheshin se kishin bashkëpunuar për ta nxitur një dëshmitar të mos dëshmonte para Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Nuk është bërë e ditur se për cilin dëshmitar bëhej fjalë, e as në cilin rast parashihej të dëshmonte ai.

Bahtijari dhe Januzi u arrestuan në tetor 2023, ndërsa Shala në dhjetor 2023. Koha e kaluar në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë prej atëherë, do t’iu llogaritet në vuajtjen e dënimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mërgim Vojvoda u largua nga Torino për t’u bashkuar me…