Specialja mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm, thotë Trendafilova

29 nëntor 2023 | 19:05

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka thënë se Gjykata Speciale mund të shqiptojë edhe dënime me burgim të përjetshëm.

“Gjykata mund të shqiptojë dënime me burgim të përjetshëm. Gjykatësit mbështeten në Kodin Penal të Kosovës dhe mund ta marrin në konsideratë këtë dënim”, ka thënë Trendafilova gjatë një diskutimi me shoqërinë civile në Prishtinë.

Sipas saj, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara nuk do të komprometojnë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës.

Ajo komentoi edhe kërkesën urgjente të prokurorisë për ndërprerjen e të gjitha vizitave dhe komunikimeve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

“Nuk ka pasur asnjëherë presion, ndërhyrje në atë që ne bëjmë. Ne udhëhiqemi nga ligji dhe nga faktet e çështjes, kaq, dhe këtë e pohoj për të gjithë kolegët, për të gjithë gjyqtarët. Unë nuk po i mbroj ata. Ju duhet të jeni të sigurt se unë jam shumë e vëmendshme kur vëzhgoj, sepse është interesante për mua, është e rëndësishme kur t’ju takoj është mirë të kem përgjigje bazuar në përshtypjen time personale se si zhvillohet seanca. Për këtë, jam absolutisht, plotësisht e sigurt se nuk ka asnjë ndërhyrje, je i sigurt për këtë”, ka deklaruar ajo.

“Gjyqtarët e dhomave të specializuara nuk do të komprometojnë kurrë zbatimin e drejtë të ligjit dhe vërtetimin e së vërtetës. Dhe në një kohë që do të vijë, do të takohemi dhe nuk do të turpërohem të përballem me ju, ju që më thoni në fakt kjo nuk është e vërtetë. Por kjo është se si funksionon. Nuk është e mundur, për shembull, ajo që ka ndodhur javën e kaluar me z. Thaçi, z. Veseli dhe z. Selimi, për të cilët është marrë vendim i ndërmjetëm nga gjyqtarët. Vendim i ndërmjetëm për t’u izoluar dhe gjithashtu për t’u kufizuar në komunikimin e tyre pa diskutim, absolutisht me avokatët e tyre, nuk ka dyshim për këtë dhe me disa familjarë. Por gjyqtarët dhanë, siç thonë ata, vendim të ndërmjetëm. Pse? Sepse donin të merrnin një justifikim të duhur, domethënë të siguronin fakte dhe prova nga prokurori specialist që i sheh me këtë kërkesë urgjente, me këtë ‘mocion urgjent’ – kështu u quajt”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka ngushëlluar familjen…