Specialja përdor kundër Veselit fushatën “Liria ka emër”, deklaratat e Klinakut juristët i vlerësojnë të pabazuara
Fushata “Liria ka emër, UÇK”, filloi menjëherë pas arrestimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Sipas iniciatorëve, ajo nisi nga një grup vullnetmirë për të nxitur debat rreth historisë së re të Kosovës dhe nevojës për një kujtesë kolektive gjithëpërfshirëse.
Përgjatë muajve të ekzistencë, kjo fushatë solli rrëfime të ndryshme të ish-ushtarëve të UÇK-së duke treguar luftën që bëri kjo ushtri gjatë viteve 1998-199.
Nëpërmjet videove të ndryshme, që kryesisht u shfaqën në rrjetet sociale e në televizionin publik, fushata “Liria ka emër” shfaqi përkrahje ndaj të arrestuarve nga Gjykata Speciale, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
E kjo u pa me dyshim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Kryeprokurori i Dhomave të Specializuar, Jack Smitth, në një dokument të dërguar në adresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Hagës, listoi argumentet e tij se pse ish-kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, duhet të mbahet ende në paraburgim.
Në shkresën e fundit të tij, Smith argumentoi për refuzimin e kërkesës së Veselit duke thënë se fushata “Liria ka emër, UÇK”, ka qenë mjaftë aktive duke demonstruar mbështetjen e gjerë për Veselin.
“Fushata ‘Liria ka një emër, UÇK’ u krijua menjëherë pas arrestimit të Akuzuarit dhe u bë virale. Kjo fushatë ka qenë mjaft aktive në muajt e fundit, duke demonstruar mbështetjen e gjerë për të Akuzuarit në Kosovë”, thotë Kryeporkurori.
Krahas fushatës, Prokuroria shfrytëzoi si argument edhe deklarimet e ushtruesit të detyrës së OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, i cili premtoi publikisht se do të botonte dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara.
Këto deklarime nuk i bën mirë mbrojtjes juridike të Veselit.
“Se ligji nuk është asnjë kufizim për kreun e përkohshëm të UÇK-së, është emblematik e largësisë që mbështetësit e të Akuzuarit janë të gatshëm të shkojnë për të penguar këto procedura, dhe në të vërtetë këtë gjykatë”, thuhet tutje në parashtresën e ZPS-së”, thuhet tutje në shkresën e Smith.
Ndaj tyre reagoi Klinaku duke theksuar se Prokurori Smith ka filluar t’i zgjerojë armiqtë.
“Prokurori Smith i “dhomave të specializuara” në Hagë, ka filluar tani t’i zgjerojë armiqtë. Në rastin e z.Veseli, përveç që merret me mua, merret edhe me fushatën “Liria ka emër UÇK”. E valla nuk kemi çfarë t’i bëjmë, sepse gojën nuk mund ta mbyllim dhe Liria ka emrin UÇK e krimi ka emrin Serbi”, shkroi Klinaku në profilin e tij në Facebook.
Ndërkaq avokati Armend Shkoza i tha Reporteri.net se një interpretim i tillë nga ZPS është i pabazuar.
“Arsyet të cilat janë cekur konsideroj se nuk janë të bazuara dhe nuk mund të krijohen lidhshmëri të tilla arsyetuese duke i interpretuar rrethanat e tilla tërësisht në dëm të të pandehurit. Interpretimi i rrethanave të tilla është rëndesë ngase nuk janë rrethana konkrete dhe jo të drejtpërdrejta. Interpretimi se një fushatë në përkrahje të luftës çlirimtare, mendoj se nuk mund të merret si rrethanë e cila do të ndikonte në zhvillimin e procedurës penale”, tha Shkoza për Reporteri.net.
Kujtojmë që për Hysni Ngucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan vitin e kaluar për shkak të publikimit të dosjeve të Specialës dhe akuzohen për zbulim të informacionit të mbrojtur paaturoizim.