Specialja përdori deklarimet e tij për arrestimin e krerëve të UÇK-së, reagon Gashi

19 nëntor 2020 | 08:11

Ish-këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, ka reaguar pas lajmit se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përdorur reagimet në Kosovë ndaj deklaratës së tij për UÇK-në për urdhërarrestin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, raporton Express.

Në pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për urdhërarrest thuhet se së fundmi ish-këshilltari politik i ish-kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, deklaroi se individë brenda UÇK-së kanë kryer krime dhe si rezultat-konsistent me gjuhë të stafit të përgjithshëm të UÇK -së në 1998-99, ai ishte konsideruar si bashkëpunues dhe përkrahës i Serbisë nga Jakup Krasniqi dhe anëtarët kryesorë të Shoqatës së Veteranëve duke e bërë subjekt të vdekjes dhe nga kritikat e shumta u shkarkua nga pozita e tij.

Tutje, në dokumentin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se shembulli i Gashit pasqyron një klimë pandëshkueshmërie dhe frikësimi të cilën të dyshuarit kanë lehtësuar dhe inkurajuar në mënyrë aktive.

Për krejt këto deklarata ka reaguar publicisti Shkëlzen Gashi. Ai ka mohuar se deklaratat e tij ishin shkaktare për arrestimin e ish-eprorëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Sipas tij, një raportim i tillë është i pavërtetë dhe joserioz, meqë thotë se aktakuzat e Gjykatës Speciale ishin përgatitur kohë më pare.

”Është e vërtetë që një pjesë e mediave dhe më shqetësuese ishte se televizioni publik i Kosovës, e kishte deformuar deklaratën e Prokurorisë Speciale komplet. Dhe kishte nxjerrë që deklarata ime ka bërë që ish-liderët e UÇK-së, të arrestohen nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, gjë që nuk është e vërtetë, sepse deklarata ime nuk ka mundur të shërbejë si arsye për arrestimet e tyre në asnjë mundësi. Aktakuzat e tyre janë përgatitur me siguri shumë më herët sesa deklarata ime”, tha ai.

Tutje ai shton se ka një pjesë e cila nuk është shtuar në raportime që, sipas tij, qëndron si e vërtetë ndaj Prokurorisë Speciale e cila i ka përmendur emrin në deklaratë.

“Sulmet ndaj Shkëlzen Gashit janë përdorur nga Prokuroria si arsyetim, mes të tjerash, për arrestimin e këtyre personave. Kjo nuk është përdorur dhe kjo nuk është serioze. Bëhet fjalë për një luftë politike. E kemi PDK-në që po e përdorë televizionin publik dhe po bën luftë kundër Vetëvendosjes dhe ish-kryeministrit Kurti. As ish-kryeministri Kurti, as unë si këshilltar i tij s’kemi ndikuar as nuk kemi synuar të ndikojmë në Gjykatën Speciale që këta të arrestohen”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot. Kryeministri Avdullah…