Specialja s’e zbaton vendimin për telefonata, mbrojtja ankohet se Thaçi, Veseli dhe Selimi s’folën me familjarët që nga e diela
Liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, nuk kanë komunikuar fare me familjarët e tyre, që nga e diela, pavarësisht vendimit të ri të Speciales ku përsëri u lejohen atyre bisedat telefonike.
Lidhur me këtë fakt, njëzëri është ankuar mbrojtja e tyre, për të cilën pikë shfaqën pakënaqësi gjatë seancës së sotme.
Ky shqetësim fillimisht u ngrit nga avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, duke iu referuar vendimit për kushtet e paraburgimit.
Por, ndonëse ka një të tillë, ku lejohet të paktën përmes telefonit, komunikimi me familjarët e tyre, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e Kadri Veselit janë ankuar tek trupi gjykues, se kërkesat e tyre janë duke u refuzuar.
“Janë bërë disa kërkesa për telefonata me anëtarët e familjes dhe janë refuzuar momentalisht. Pra, deri tani nuk janë lejuar telefonatat me familjen qofshin edhe të monitoruara”, është shprehur haptazi Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.
Ndërsa mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe, e ka pohuar para të pranishmëve se as klientit të tij nuk janë duke i lejuar telefonatat.
“Kam dhe unë nevojë të mbështesë atë që tha z. Emmerson. Sa i takon klientit tim, nuk janë lejuar telefonatat”, ka thënë ai.
Ankesa e mbrojtjes ka pasur edhe një përgjigje nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, duke lënë hapësirë që në këtë pikë refuzimi, mund të kishte keqkuptime.
“Në rregull e kuptoj, mbase ka pasur ndonjë keqkuptim dhe unë i kërkoj ndjesë për këtë dhe unë do ta trajtoj këtë aspekt gjatë ditës së sotme”, ka thënë ai.
Situata është ngritur në diskutim nga mbrojtja e Selimit, me kërkesën që të jepen informacione se kur pritet të zbatohet vendimi.
“E vërejmë që kolegu ynë Keohe ka ngritur një çështje sa i përket kushteve të paraburgimit i cili ende nuk është zbatuar. A mund të na thotë diçka Zyra Administrative kur do të zbatohet ky vendim dhe çfarë problematikash ka pasur për ta zbatuar këtë vendim?”, ka pyetur Geoffrey Roberts.
Megjithatë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka thënë se janë takuar me Zyrën Administrative dhe po bëjnë të pamundurën që të zbatohet vendimi.
“Takuam dje Zyrën Administrative, po bëjnë të pamundurën për ta zbatuar këtë urdhër. Sa i takon telefonatave në familje ato do të monitorohen deri sa të dal një urdhër i ri”, ka thënë Smith.
Por, avokati i Rexhep Selimit, ka thënë se klienti i tij dhe krerët tjerë të UÇK-së që po gjykohen, telefonatën e fundit e kanë realizuar tek të dielën.
“E kuptoj, por ama nuk kanë folur që të dielën. Të dielën ka qenë telefonata e fundit”, ka thënë Roberts, shqetësim të cilit i janë bashkuar edhe mbrojtja e Thaçit dhe Veselit.
Por, Specialja duket qartë të mos e ketë marrë seriozisht vendimin e ri, e as kërkesat e tyre për komunikim me telefon.
Kjo meqë para se të reagonin avokatët Keohe dhe Emmerson, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se ata duhet të bëjnë sërish një kërkesë në mënyrë që t’ju lejohen telefonatat.
”Pyeta dje, dhe administratorja me tha thjeshtë duhet të bëjnë një kërkesë dhe do ta leojojnë”.
Ndërsa për pjesën tjetër të vendimit, pritet që të nis zbatimi i realizimit të tij para pushimit të Krishtlindjeve. Përgjigje kjo që pasoi po ashtu pas kërkesës së mbrojtjes së krerëve të UÇK-së.