Specialja të merret edhe me krimet e serbëve
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë me dije se qëndrimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së është shfuqizimi i Gjykatës Speciale.
Ai ka deklaruar se nëse kjo është e pamundshme, atëherë kjo gjykatë duhet të merret edhe me krimet e serbëve gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Jashari i ka ftuar institucionet e reja, të cilat do të formohen pas certifikimit të zgjedhjeve, që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre.
“Tani mendoj se është koha që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë mundësinë që, të paktën, Gjykata Speciale të mos jetë gjykatë selektive. Nëse ndërkombëtarët e kanë seriozisht, dihet se kush ka bërë krime në luftën e Kosovës dhe kush janë kriminelët. Kërkesa jonë në radhë të parë është që të shfuqizohet kjo gjykatë. Por, nëse nuk ekzistojnë mundësitë për një gjë të tillë, atëherë kjo gjykatë duhet të merret edhe me krimet serbe në Kosovë. Pra, nuk duhet t’i lihet hapësirë kësaj gjykate që t’i hetojë vetëm ish-ushtarët e UÇK-së”, ka thënë Jashari.
Ai beson se pretendenti për kryeministër, Albin Kurti, i cili e ka kundërshtuar formimin e kësaj gjykate, do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre. “Tani me krijimin e qeverisë së re, nëse ata që bashkë me neve dikur kanë kundërshtuar këtë gjykatë, vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta, na bëjnë të besojmë në këtë drejtim. Besojmë se të paktën të ngritët zëri i kundërshtimit ndaj kësaj gjykate, sepse Kosova nuk duhet të vazhdojë të trajtohet si laborator i eksperimentimit, duke fyer ata djem dhe vajza që nuk kursyen asgjë për të ardhur deri te liria”, është shprehur ai.
Në këtë intervistë Jashari ka folur edhe për ftesat e shumta që Specialja po dërgon për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Ai ka thënë se kjo për organizatat e dala nga lufta është shqetësuese.
“Ne e përcjellim me vëmendje gjithë procesin dhe ftesat që i bënë kjo gjykatë. Unë do t’i ftoja të gjithë ata që thirren nga kjo gjykatë të qëndrojnë dinjitozë sepse lufta jonë çlirimtare ka qenë e pastër dhe e drejtë. Vetë ftesat e Speciales për strukturën udhëheqëse të UÇK-së e arsyetojnë tendencën e asaj që përmenda më herët, se qëllimi i saj është njollosja e luftës. Nuk mund të thuhet më se po thirren vetëm individët, kur thirren të gjitha ata që kanë qenë në strukturat udhëheqëse të UÇK-së”, ka deklaruar Jashari.
“Epoka e re”: Z. Jashari, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së vazhdimisht e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale. Tani kur jemi në pritje të formimit të qeverisë së re, e cila do të udhëhiqet nga z. Albin Kurti, i cili e ka kundërshtuar këtë gjykatë, cilat janë pritjet tuaja?
Jashari: Ne bashkërisht edhe me z. Kurti dhe me shumë deputetë në vitin 2015 kemi organizuar protesta për ta kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate, ku herën e parë kishim pamundësuar themelimin e saj. Ne kemi menduar dhe po del të jetë kështu, se Gjykata Speciale ka qenë fyerja më e madhe që i bëhet luftës së UÇK-së dhe popullit të saj. Gjithashtu, kemi konsideruar se, përveç fyerjes që i bëhet shtetit të Kosovës, një gjykatë e tillë suprimon organet e drejtësisë dhe është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ne ende mbrojmë të njëjtat qëndrime rreth kësaj gjykate. Pra, Gjykata Speciale është e papranueshme, është selektive dhe qëllimi i vetëm i saj është njollosja e luftës çlirimtare të Kosovës dhe që ta barazojë luftën çlirimtare dhe pjesëtarët e saj me krimet dhe kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë me urdhra shtetërore. Ne vazhdimisht kemi kërkuar që të shqyrtohen mundësitë nga organi më i lartë në vend, nga Kuvendi i Kosovës, që të shfuqizohet një gjykatë e tillë. Nëse shfuqizimi është i pamundshëm, të paktën të mos ndodhin raste selektive, që me pretendime të Dik Martit të hetohen vetëm pjesëtarët e UÇK-së. Si organizata të dala nga lufta e UÇK-së kemi deklaruar se lufta çlirimtare ka qenë e drejtë dhe e pastër. Kjo është vërtetuar në instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare siç ka qenë Gjykata e Hagës.
“Epoka e re”: Pra, ju do të kërkoni nga legjislatura e re dhe qeveria e re, që në vitin 2020, nëse i duhet vazhdimi i mandatit kësaj gjykate, të hetohen edhe krimet serbe gjatë luftës?
Jashari: Gjithsesi. Tani mendoj se është koha që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë mundësinë që, të paktën, Gjykata Speciale të mos jetë gjykatë selektive. Nëse ndërkombëtarët e kanë seriozisht, dihet se kush ka bërë krime në luftën e Kosovës dhe kush janë kriminelët. Kërkesa jonë në radhë të parë është që të shfuqizohet kjo gjykatë. Por, nëse nuk ekzistojnë mundësitë për një gjë të tillë, atëherë kjo gjykatë duhet të merret edhe me krimet serbe në Kosovë. Pra, nuk duhet t’i lihet hapësirë kësaj gjykate që t’i hetojë vetëm ish-ushtarët e UÇK-së kur dihen botërisht qëllimet dhe tendencat e kësaj gjykate, e që janë njollosja e luftës çlirimtare të Kosovës dhe barazimi me krimin dhe kriminelët serbë që kanë bërë krime në Kosovë.
“Epoka e re”: Sa jeni optimist për arritjen e këtij qëllimi, sepse kërkesa të tilla ju keni bërë edhe më herët, por që nuk janë marrë parasysh?
Jashari: Ju e dini se kjo gjykatë është kundërshtuar nga ne si diçka e pranueshme. Kërkesat tona për këtë qëllim kanë qenë të vazhdueshme, pra sa herë na është dhënë mundësia. Tani me krijimin e qeverisë së re, nëse ata që bashkë me ne dikur e kanë kundërshtuar këtë gjykatë, vazhdojnë të kenë qëndrime të njëjta, na bëjnë të besojmë në këtë drejtim. Besojmë se, të paktën, do të ngritët zëri i kundërshtimit ndaj kësaj gjykate. Kosova nuk duhet të vazhdojë të trajtohet si laborator i eksperimentimit, duke fyer ata djem dhe vajza që nuk kursyen asgjë për të ardhur deri te liria.
“Epoka e re”: Së fundi është shtuar intensiteti i ftesave të Speciales për ish-ushtarët e UÇK-së. Sa shqetësuese ka qenë për ju kjo?
Jashari: Është shqetësuese. Ne e përcjellim me vëmendje gjithë procesin dhe ftesat që i bënë kjo gjykatë. Unë do t’i ftoja të gjithë ata që thirrën nga kjo gjykatë, që të qëndrojnë dinjitozë, sepse lufta jonë çlirimtare ka qenë e pastër dhe e drejtë. Vetë ftesat e Speciales për strukturën udhëheqëse të UÇK-së e arsyetojnë tendencën e asaj që përmenda më herët, se qëllimi i saj është njollosja e luftës. Nuk mund të thuhet më se po thirren vetëm individët, kur thirren të gjitha ata që kanë qenë në strukturat udhëheqëse të UÇK-së.
“Epoka e re”: Në fakt, ftesa për intervistim Specialja ka pasur edhe ndaj njerëzve që nuk kanë qenë pjese e UÇK-së. Kemi rastin e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Jashari: Kjo në një farë forme është për ta arsyetuar këtë gjykatë në aspektin politik. Ne këto i kemi kuptuar në vazhdimësi, sepse kjo është një lojë politike se, gjoja, një gjykatë e tillë është e interesuar që të vendoset drejtësia. Mendoj se është shumë e padrejtë që të thirren edhe njerëz të cilët nuk kanë qenë pjesë e UÇK-së.
“Epoka e re”: Është paralajmëruar se organizatat e dala nga lufta do të organizojnë protesta, por ende nuk kemi parë asgjë në këtë drejtim?
Jashari: Ne jemi duke pritur për këtë çështje. E vetmja pengesë e jona në këtë drejtim është se kjo gjykatë është miratuar në Kuvendin e Kosovës. Por, nëse protestojmë, ne do ta kemi adresë të saktë se kujt do t’i drejtohemi me këtë protestë.
Muhamet KOCI