Specialja tenton ta fsheh faktin se po e akuzon komplet UÇK-në, kjo është pika që ‘e qet në rrenë’
Dhomat e Specializuara të Gjykatës me seli në Hagë e kanë gjetur ditën kur në Kosovë po mbahej marshi në përkrahje të UÇK-së, që të lëshojnë një komunikatë për procesin ndaj tyre.
Specialja teksa përshkruan detajet e akuzave, pretendon se subjekt i hetimit nuk është UÇK-ja, por individë.
“Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, tha Specialja në komunikatën e saj.
Duket se kjo komunikatë e Gjykatës bie ndesh me faktet reale që vet ky institucion i ka krijuar.
Mjafton të lexojmë pikën 35 të aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së për të kuptuar se Specialja i konsideron anëtarë të asaj që ajo i quan “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, gati të gjithë anëtarët e UÇK-së, shkruan lajmi.net.
“Anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa drejtues të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe PGoK-së, përfshirë anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. ; ministrat dhe zëvendësministrat e PGoK-së; Komandantët e zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantët e zonave dhe anëtarët e tjerë të shtabit komandues të zonës; komandantët e brigadës dhe njësive; komandantët dhe pjesëtarët e policisë dhe shërbimeve inteligjente të UÇK-së dhe PGoK-së; dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të PGoK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup KRASNIQI, kolektivisht, ‘Anëtarët e NPK’). Secili prej këtyre individëve, me veprimet ose mosveprimet e tij ose të saj, kontribuoi në arritjen e qëllimit të përbashkët”, pretendon organi i akuzës.
Ndryshe, gjyqi ndaj krerëve të luftës do të fillojë nesër.
Sot në Prishtinë pati marsh madhështor në kundërshti të këtij gjykimi që me fillim është konsideruar i padrejtë në formën se si është bërë.