‘Specialja t’i respektojë ligjet e Kosovës, unë nuk jam pjesë e garës elektorale’ – Fjala e plotë e Thaçit në Hagë

08 dhjetor 2024 | 15:10

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka dalë  para Gjykatës Speciale lidhur me aktakuzën e re që është konfirmuar ndaj tij për pengim të drejtësisë.

Ai ka thënë se shoqëria kosovare, ai dhe familja e tij presin drejtësinë. Thaçi ka shtuar se para dy ditësh është njoftuar për aktakuzën e re.

Ish-drejtuesi politik i UÇK-së, ka thënë se e di që Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme por shtoi se ai nuk paraqet “rrezik politik” për askënd.

“Me siguri ju e dini që unë tash e katër vite përballem me një proces tjetër gjyqësor dhe kemi dëgjuar vlerësime keqinterpretuese të historisë politike dhe kombëtare për lirinë e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës më së paku nga viti 1980 deri më sot. Pra është një proces voluminoz. E di se shoqëria kosovare, familja ime dhe unë presim me padurim fundin e këtij procesi, e presim drejtësinë për çka edhe besojmë në drejtësi. Krejt papritmas para dy ditësh u njoftova për akuzën e re nga ZPS. E di se Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, por unë nuk jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kërkoj edhe sot nga të gjithë në këtë sallë që të respektohen Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje, Thaçi nuk është deklaruar mbi akuzat e reja, por që pritet të deklarohet brenda afatit.

“Për shkak të angazhimeve tjera, unë nuk kam pasur mundësi që ta diskutojë në thelb dokumentin e konfirmuar nga ana juaj, prandaj do të deklarohem në kohë brenda afatit të rregullt kushtetues dhe ligjor”, është shprehur Thaçi.

Ndryshe, për Thaçin foli edhe avokatja e tij, Nina Tavakoli e cila tha se në “çështjen 06” ku Thaçi akuzohet për krime lufte, asnjëherë nuk e ka konsideruar atë si person që mund të arratiset. Madje, ajo tha se Thaçi ka hequr dorë nga posti i presidentit të Kosovës për të iu përgjigjur drejtësisë.

“Për shkak se klienti im është në fakt në paraburgim, në kuadër të lëndës 06, kështu që kjo i takon që është e panevojshme. Sidoqoftë do të doja të theksoja disa gjëra për procesverbal. E kuptoj që keni kryer një vlerësim të pavarur dhe ka arsye që Thaçi është person që arratiset, por doja të thoja për procesverbal që trupi gjykues në çështjen 06 nuk e kanë konsideruar asnjëherë si person që mund të arratiset. Ai është dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e kësaj gjykate dhe ka hequr dorë si president për të ardh këtu dhe kjo është theksuar në çështjen 06”, ka thënë Tavakoli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani ka ndarë pikët me Ferizajn, derisa Malisheva ka lëshuar…