Specialja tregon pse dëshmitarja e parë po rrëfen në seancë private në rastin e drejtuesve të UÇK-së
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) ose Gjykatës Speciale në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, të enjten ka deklaruar se dëshmitarja e parë në rastin e Hashim Thaçit dhe të tjerët ka dëshmuar kryesisht në seancë private, por që kjo nga ana e gjykatësit është vendosur për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.
Sipas tij, dëshmitarja parë e thirrur nga prokuroria, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka dëshmuar këtë javë me masa mbrojtëse, kryesisht në seancë private dhe se ajo është marrë në pyetje nga prokuroria dhe në vijim i janë bërë pyetje edhe nga ekipet e mbrojtjes.
I njëjti, përmes këtij informimi ka thënë se të gjitha gjykimet para DhSK-së janë publike, megjithatë gjykatësit ndonjëherë vendosin ta kryejnë një pjesë të seancës së gjykimit në atë që njihet si seancë private ose të redaktojnë informacione të caktuara për të mbrojtur identitetin dhe sigurinë e dëshmitarëve ose të viktimave.
“Vendimi për t’i kryer seancat në seancë private për të mbrojtur dëshmitarët, shqyrtohet me kujdes nga gjykatësit, rast pas rasti. Gjykatësit sigurohen që të ketë balancë midis nevojës për mbrojtje të dëshmitarëve dhe të drejtave të të akuzuarve. Për shembull, edhe kur dëshmia e dëshmitarit nuk është publike, avokatët e të akuzuarve përsëri kanë të drejtën t’i bëjnë pyetje dëshmitarit nga ana e tyre”, ka thënë Doyle.
Ndërsa lidhur me çështjen e Pjetër Shalës, ai ka informuar se trupi gjykues ka urdhëruar më 6 prill vazhdimin e paraburgimit të të akuzuarit, kjo pasi që sipas tij, trupi gjykues ka konstatuar se vazhdon të ekzistojë rreziku që Shala të pengojë procedurat ose të kryejë krime të tjera.
“Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se paraburgimi vijon të jetë i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, sepse këto rreziqe nuk mund të ulen mjaftueshëm përmes zbatimit të masave të arsyeshme alternative, por vetëm përmes kornizës së monitorimit të komunikimeve që zbatohet në objektin e paraburgimit të DhSK-së”, ka thënë ai.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë./BetimipërDrejtësi/