Specialja ua ndalon vizitat e telefonatat ish-krerëve të UÇK-së, Musliu: Të reagojë Kuvendi
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar pasi Gjykata Speciale gjatë fundjavës ka ndaluar telefonatat dhe vizitat e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Te nderuar qytetarë, sot do të shpreh shqetësimin tim dhe të juajin në lidhje me zhvillimet në Dhomat e Specializuara. Gjykata Speciale në Hagë në mungesë të provave dhe fakteve, për të fshehur motivin politik dhe dështimin e tyre janë duke përdorur metoda të frikshme të shkeljes së të drejtave të njeriut që nga fillimi i punës së kësaj gjykate e deri me vendimin e fundit për ndalimin e vizitave dhe të telefonatave të atyre që po mbahen padrejtësisht prapa grilave”, ka thënë Musliu në fjalën e saj gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Po i shfrytëzoj këta tre minuta për të apeluar të të gjitha organet kompetente, të organizatat përkatëse, te ky Kuvend dhe të ju qytetarë të nderuar që të reagojmë të gjithë kundër këtyre vendimeve.
Kosova dhe shqiptarët asnjëherë nuk ju kanë trembur drejtësisë sikurse asnjëherë nuk e kanë duruar padrejtësinë”, ka thënë deputetja Musliu.
Ajo ka thënë se ky Kuvend e ka votuar këtë gjykatë dhe ky Kuvend duhet i pari të reagojë kur shkelen të drejtat themelore të njeriut.
“Prandaj është koha e fundit të mendojmë nëse dëshirojmë të heshtim, të nënshtrohemi dhe të turpërohemi apo të tregojmë se kemi krenari shtetërore dhe kombëtare të tregojmë që kemi ligje e kushtetutë, e t’i themi stop padrejtësive në emër të shtetit dhe në emër të popullit. Nëse keni fakte vazhdoni, por nëse nuk keni ndaluni sepse më mirë është të ndaleni se sa të krijoni precedentë të paparë në historinë e gjyqësisë. Ma gjeni një burg në botë që bënë shkelje kaq flagrante të të drejtave të njeriut përveç Burgut të Guantanamos”, ka theksuar deputetja Musliu.