Specialja ua refuzon kërkesën Thaçit dhe të tjerëve për lirim të përkohshëm
Paneli i Gjykatës së Apelit ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, për lirim të përkohshëm.
Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për medie në faqen zyrtare të Dhomave Speciale, duke thënë se kërkesa është refuzuar në tërësi dhe se Veseli ka kohë prej 10 ditësh ta publikojë të redaktuar të replikës ndaj këtij vendimi.
“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftim.
“Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit e mohon ankesën në tërësi dhe urdhëron Veselin që të paraqes një version publik të redaktuar të replikës përbrenda 10 ditëve”, thuhet tutje në vendim.