Specialja ua vazhdon masën e paraburgimit Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie në platformën ‘zoom’, të enjten, ka deklaruar se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) kanë vazhduar masën e paraburgimit për Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore trupi gjykues më 17 maj 2023 urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me vendim përkatës për secilin”, tha Doyle.
Tutje, ai tha se trupi gjykues ka konstatuar se ekziston ende rreziku që Krasniqi dhe Selimi mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor.
Paraprakisht ai tha se në gjykimin Hashim Thaçi dhe të tjerët dëshmitari i pestë, i gjashtë dhe i shtatë të thirrur nga prokuroria kanë përfunduan dëshminë e tyre këtë javë.
‘‘Një pjesë e dëshmive u dha në seancë private dhe një pjesë në seancë publike. Vendimi i trupit gjykues për t’i mbajtur disa pjesë të gjykimit në seancë private merret rast pas rasti dhe arsyeja kryesore është mbrojtja e sigurisë dhe të identitetit të dëshmitarëve dhe viktimave’’, tha ai.