‘Spektakël i garantuar politik’, detajet e pranisë së Metës në komisionin hetimor (Video)
Ora 10:00 e të hënës do ta gjejë presidentin Ilir Meta përballë Komisionit të posaçëm hetimor parlamentar.
Kjo është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një president përballet me një komision hetimor për t’u pyetur si i dyshuar mbi shkeljen e kushtetutës, iniciuar kjo nga mazhoranca socialiste e Edi Ramës.
“Top Channel” ka mësuar se në këtë përballje, presidenti nuk do të jetë i vetëm, por do shoqërohet nga tre këshilltarë.
Presidentit nuk do t’i lexohet formula e betimit, pasi ai është person nën hetim. Rregullorja e komisioneve parlamentare parashikon që formula e betimit i lexohet dëshmitarëve.
Pritet me interes strategjia që do të ndjekë presidenti përballë këtij komisioni, nëse ai do të mjaftohet duke lexuar argumentet e dërguara në mënyrë shkresore komisionit hetimor përmes një shkrese prej 25 faqesh, apo do të preferojë që këtë seancë ta zhvillojë përmes pyetje-përgjigjeve.
Po me aq interes pritet edhe qëndrimi i presidentit në raport me kryetarin e Komisionit hetimor, Ulsi Manja, për të cilin presidenca nuk është kursyer t’i përmendë një audio bisedë, pas zgjedhjeve në Dibër, publikuar nga gazeta “Bild”.