Spektri politik duhet të jetë partner konstruktiv në dialog
Profesori i qeverisjes amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se në garën e kandidatëve për kryeministër deri më tani nuk është parë diçka konkrete.
Ai ka thënë se gjatë kësaj fushate po vërehet një dozë e tepruar e populizmit pothuajse nga të gjitha partitë pa dallim.
“Nuk është një shenjë e mirë sepse kjo nuk do t’i japë hapësirë debatit për çështje konkrete dhe domethënëse për mirëqenien e qytetarit”, ka deklaruar Ibrahimi në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka folur edhe për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se përderisa klasa politike po merret me fushatë zgjedhore, në nivelin ndërkombëtar po bëhen përgatitje që dialogu të përmbyllet në një afat optimal.
“Përderisa klasa politike po merret me fushatë zgjedhore, siç po shihet në nivelin ndërkombëtar tanimë po lëvizet shumë shpejt dhe po bëhen përgatitje që dialogu të përmbyllet në një afat optimal. Emërimi i z. Palmer është vetëm një nga këta hapa. Klasa politike duhet ta gjejë mençurinë dhe urtësinë për të siguruar që është partnere në këtë dialog dhe jo palë problematike”, është shprehur ai, duke shtuar se pas mesazheve amerikane partitë politike si duket e kanë kuptuar se dialogu me Serbinë është prioritet i lartë për ShBA-në dhe cilado që të fitojë, do të duhet të luajë një rol konstruktiv në këtë proces.
Ibrahimi ka thënë se spektri politik në Kosovë duhet t’i lë anash inatet dhe interesat personale dhe të ofrohet si një partner konstruktiv në dialog.
“Kosova mesazhin duhet ta marrë vetëm nga miqtë tanë, pikë së pari nga ShBA-ja, dhe ai mesazh ka qenë shumë i qartë qoftë nga letra e presidentit Trump, qoftë nga deklarata e sekretarit Pompeo, por edhe nga deklaratat e dy senatorëve Murphy dhe Johnson se epilog i marrëveshjes duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe ky është mesazhi më i fuqishëm dhe më përkrahës që siguron shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës”, ka theksuar Ibrahimi.
“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, si jeni duke e parë garën elektorale të subjekteve politike dhe të kandidatëve për kryeministër për zgjedhjet e 6 tetorit?
Ibrahimi: Gara sapo ka filluar dhe nuk është se kemi parë diçka konkrete nga asnjëri kandidat për kryeministër, përveç asaj për të cilën këta kandidatë kanë qenë të njohur edhe më parë në sferën publike. Po besoj që pas publikimit të programeve elektorale do të mund të shohim se si do t’i prezantojnë dhe argumentojnë këta kandidatë ato programe.
“Epoka e re”: Ndonëse zyrtarisht ende nuk ka filluar fushata, megjithatë aktivitetet elektorale dhe premtimet nuk janë duke munguar. Sa janë reale këto premtime?
Ibrahimi: Premtimet elektorale kudo në botë duhet të merren me një dozë rezerve sepse edhe në vendet më të zhvilluara ato rrallë arrijnë të realizohen 100 %. Çfarë po shohim këto ditë janë mesazhe të sloganeve të cilat janë përzgjedhur nga subjektet politike, në përpjekje për t’u diferencuar nga njëri-tjetri në këtë fushatë zgjedhore. Fatkeqësisht, ajo që po vërehet që nga fillimi është një dozë e tepruar e populizmit pothuajse nga të gjitha partitë pa dallim, që nuk është një shenjë e mirë sepse kjo nuk do t’i japë hapësirë diskutimit dhe debatit për çështje konkrete dhe domethënëse për mirëqenien e qytetarit.
“Epoka e re”: Tashmë të gjitha partitë politike i kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë. Sa janë përmbajtjesore këto lista dhe, sipas mendimit tuaj, kush janë pretendentët për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit?
Ibrahimi: Pikë së pari partitë politike i bëjnë kalkulimet e tyre për të siguruar që kandidatët që përfshihen në listë sjellin vota. Nisur nga kjo, profili i kandidatit dhe pozicionimi i tij/saj në rajone të caktuara bëhet më i rëndësishëm se biografia apo përgatitja profesionale. Një gjë që tanimë është bërë trend gjithmonë para zgjedhjeve janë aderimet dhe të ashtuquajturat prurje të reja. Kjo nuk përjashtohet edhe në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, shpesh këta individë nuk kanë arritur të tregojnë ndonjë rezultat domethënës në zgjedhje dhe pas përfundimit të zgjedhjeve janë margjinalizuar. Kjo është një humbje pikë së pari për subjektet politike sepse, në fund të fundit, persona që prezantohen si prurje dhe përforcime zakonisht kanë bagazh profesional dhe publik dhe do të duhej të shfrytëzohen për t’i reformuar partitë dhe për të siguruar programe dhe oferta më të mira për qytetarin.
“Epoka e re”: Deri më tani përfaqësuesit e subjekteve politike dhe liderët e tyre po tregohen të kujdesshëm sa i përket dialogut me Serbinë, pra nuk po e përmendin nëpër takime dhe debate. Pse po ndodh kjo?
Ibrahimi: Pas mesazheve të qarta nga dy senatorët amerikanë dhe pas emërimit të z. Palmer si përfaqësues special për Ballkanin, partitë politike duket se e kanë kuptuar se dialogu me Serbinë është i një prioriteti të lartë për ShBA-në dhe cilado parti që do të fitojë do të duhet të luajë një rol konstruktiv në këtë proces. Do të ishte shumë më mirë që çështja e dialogut të mos bëhet hiq temë e fushatës zgjedhore sepse me këtë populizëm të viteve të fundit, kam frikë që politikanët të thonë ‘fjalë të mëdha’, e që më vonë do të rezistojnë për t’i tërhequr. Për çështjen e dialogut duhet të ketë një konsensus sa më të gjerë të spektrit politik sepse nuk është një gjë që përfundon me një cikël zgjedhor, përkundrazi është një çështje që do ta përcaktojë fatin e vendit dhe brezave të ardhshëm për dekada.
“Epoka e re”: Pas zhvillimeve të fundit si dhe emërimit të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, është koha e fundit që klasa politike t’i kuptojë në mënyrë të qartë dhe të duhur mesazhet e senatorëve amerikanë që ditë më parë i dhanë në Prishtinë.
Ibrahimi: Përderisa klasa politike po merret me fushatë zgjedhore, siç po shihet në nivelin ndërkombëtar tanimë po lëvizet shumë shpejt dhe po bëhen përgatitje që dialogu të përmbyllet në një afat optimal. Emërimi i z. Palmer është vetëm një nga këta hapa. Klasa politike duhet ta gjejë mençurinë dhe urtësinë për të siguruar që është partnere në këtë dialog dhe jo palë problematike. Nuk duhet rënë në provokime të liderëve serbë gjatë kësaj kohe sepse ata me shumë mjeshtëri po vazhdojnë të dërgojnë deklarata provokuese të cilat bëhen tema diskutimi në Kosovë. Kosova mesazhin duhet ta marrë vetëm nga miqtë tanë, pikë së pari nga ShBA-ja dhe ai mesazh ka qenë shumë i qartë qoftë nga letra e presidentit Trump, qoftë nga deklarata e sekretarit Pompeo, por edhe nga deklaratat e dy senatorëve Murphy dhe Johnson, se epilogu i marrëveshjes duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe ky është mesazhi më i fuqishëm dhe më përkrahës që siguron shtetësinë dhe sigurinë e Kosovës.
“Epoka e re”: Pavarësisht se kush do të jetë në krye të qeverisë, çështja e dialogut me Serbinë pritet të jetë një prej detyrave të para të saj. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi pas 6 tetorit dhe arritjen e marrëveshjes?
Ibrahimi: Pikë së pari pala e Kosovës do të duhej të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë politik. Duhet lënë anash inatet dhe interesat personale dhe të ofrohet si një partner konstruktiv në dialog. Duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë me administratën amerikane dhe të sigurohet që hapat që merren të bazohen në interesat gjeostrategjike të vendit dhe të aleatëve. ShBA-ja ka kontribuar për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, por edhe në hapat e parë të vendit si shtet. Këtë përkrahje do të vazhdojë ta ofrojë edhe më tutje nëse do të ketë një partner konstruktiv. Çdo alternativë është shumë e rrezikshme dhe vë në pikëpyetje të ardhmen e vendit. Këtë shpresoj tanimë e ka kuptuar edhe klasa politike dhe shpresoj se do të di t’i përgjigjet në mënyrë konstruktive këtij çasti jetik në historinë tonë.
Shqipe HETEMI