Spektri politik duhet të unfikohet për temat e mëdha
Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt dhe përfaqësues i familjes Jashari, ka ftuar institucionet që ta respektojnë kërkesën e ShBA-së për taksën ndaj produkteve serbe.
Ai ka thënë se pezullimi i taksës do të ishte një veprim i qëlluar për ta tejkaluar situatën në të cilën ndodhet Kosova.
“Mendoj se jemi në një pozicion të vështirë. Në njërën anë duhet që Serbisë herë pas herë t’i tregohet se megjithatë edhe Kosova ka mundësi të godas ekonominë e saj, siç është rasti i taksës, apo bojkotimi total i prodhimeve të saj, ndërsa në anën tjetër gjendemi përballë kërkesave të vazhdueshme të SHBA-ve, si një nga konitrutdhënësit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë sonë, për heqje të taksës. Megjithatë, mendoj, se Qeveria do të duhej t’i merrte në konsideratë kërkesat që vijnë nga partnerët tanë, sepse nuk do të guxoja të mendoja se SHBA-të na duan të keqën. Besoj që pezullimi i taksës për një kohë të caktuar, që do të pasonte kritere të qarta për vazhdim të dialogut nga pala jonë për palën serbe, do të ishte një veprim i qëlluar, për të tejkaluar këtë situatë në të cilën ndodhemi si shtet. Ky është mendimi im, gjithsesi”, ka thënë Jashari.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, me rastin e 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, Jashari ka vlerësuar se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur shumë gjëra pozitive, duke kulmuar me vendimin për Ushtrinë e Kosovës.
Megjithatë, ai ka shprehur edhe kritika për punët që nuk janë bërë siç duhet.
Bekim Jashari i ka bërë thirrje spektrit politik për unifikim rreth temave të mëdha. Sipas tij, duhet të hiqet dorë prej inateve politike kur është në pyetje e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Epoka e re”: Z. Jashari, jemi në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me çfarë aktivitetesh do ta shënojë këtë përvjetor Komuna e Skenderajt?
Jashari: Ditët historike, festat dhe datat e veçanta, nuk kanë si të mos festohen në radhë të parë me aktivitete përkujtimore për dëshmorët që sakrifikuan edhe jetën që ne të jetojmë të lirë e të pavarur. Edhe ne si Komunë kemi agjendë zyrtare për shënim të 11 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në kuadër të të cilës janë homazhet në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, pastaj në Kompleksin e Dëshmorëve në Marinë, vizita tek familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithsesi se do të mbahen aktivitete të tjera kulturore, argëtuese sportive dhe të tjera, të gjitha këto në mënyrë që qytetarët e komunës sonë të kenë mundësi që të gëzuar të marrin pjesë në këto aktivitete të larmishme.
“Epoka e re”: Për këtë kohë sa jeni kryetar komune. Sa keni arritur të përmbusheni objektivat e juaja ndaj qytetarëve?
Jashari: Është herët të përmbushen objektivat duke qenë se ka diçka më shumë se 1 vit prej se unë kam dhënë betimin si kryetar i Komunës. Gjatë fushatës parazgjedhore janë dy gjëra të cilat i kam premtuar në qeverisjen time. Transparencë të plotë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve. Dhe ne tashmë kemi fakte të prekshme se qeverisja ime bazohet në këto dy parime të demokracisë; për herë të parë janë bërë publike të gjitha kontratat me operatorët ekonomik, dhe kështu do të vazhdojë për sa kohë të jem në krye të Komunës; kemi hartuar buxhetin komunal në bashkëpunim me qytetarët tanë, meqë kemi mbajtur mbi 15 dëgjime buxhetore nëpër fshatra, ku i gjithë investimi kapital gjatë këtij viti do të bëhet në bazë të kërkesave të qytetarëve që kanë paraqitur për investime në zonat e tyre të banimit. Puna më e ndjeshme që është bërë në këtë vit të parë, ka qenë procesi i zhvarrimit dhe rivarrimit të dëshmorëve të Zonës Operative të Drenicës në Marinë, duke bërë të shkaktojmë përsëri ndjesi dhe dhembje për ato familje të dëshmorëve, por mendoj se i gjithë ky proces ka përfunduar mirë, dhe se tashmë ky kompleks është më kuptimplotë me të gjithë dëshmorët e Zonës Operative të Drenicës. Dua t’i falënderoj me këtë rast të gjitha familjet e dëshmorëve, me të cilat kemi pas mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë këtij procesi kaq të ndjeshëm. Ka edhe veprime të tjera që kemi ndërmarrë dhe që po ndërmarrim çdo ditë të javës, gjithnjë në funksion të rritjes ekonomike, krijimit të vende të reja të punës, zbutjen e papunësisë e varfërisë. Vitin e kaluar kemi marrë vendim për Parkun e Biznesit në Marinë, i cili do të ndikojë në ekonominë tonë lokale. Kur jemi të zhvillimi ekonomik, brenda vetëm 2 muajve, kemi pas për vizitë studimi dhe interesimi investitorë amerikanë, që kanë shfaq interesim për të investuar në Pendën e Drenicës, një projekt ky që ka kosto dhjetëra miliona euro, e i cili do të zgjidh përfundimisht problemin e ujit të pijshëm për 200 mijë banorë, por gjithashtu edhe sektori i bujqësisë do të përfitojë nga ky projekt. Këta investitorë kanë premtuar edhe ndërtimin e një spitali që do t’i shërbejë tërë rajonit të Drenicës. Pra, me fjalë tjera, kemi ndërmarrë veprime që të mundësojnë investime nga jashtë apo brenda, për çka kemi dhënë garanci të plotë dhe siguri në çdo investim që do të bëhet.Disa nga projektet që kemi realizuar janë: poligoni sportiv me fushën prej bari artificial, i bari i këtij lloji në Ballkan, kemi realizuar planin e rritjeve të të hyrave, me një rritje rekord. Kemi dyfishuar buxhetin e bursave për nxënës dhe studentë. Shumë shpejt do të nisin procedurat në Prokurim, për të filluar realizimin e projekteve tjera kapitale në infrastrukturën rrugore, brenda fshatrave, në kanalizime, ujësjellës, projekte sociale, sportive, kulturore dhe investime të tjera në të mirë të qytetarëve. Krahas këtyre përpjekjeve, jemi duke zbutur edhe çështjen e familjeve pa strehë, në bashkëpunim të mirë me Shoqatën Jetimat e Ballkanit, por edhe me donatorë të tjerë, ku brenda 6 muajve janë ndërtuar më shumë se 10 shtëpi dhe do të ndërtohen edhe 30 të tjera javëve në vazhdim.
“Epoka e re”: Si po e gjen Republikën e Kosovës 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë?
Jashari: Duhet të jemi realistë në këtë aspekt. Secili prej nesh duhet t’i vlerësojë të arriturat e deritanishme. Kanë ndodhur shumë gjëra pozitive në këtë periudhë kohore prej 11 vjetësh, duke kulmuar me vendimin për Ushtrinë e Kosovës. Në retrospektivë, janë shënuar edhe ngjarje të tjera të mira për vendin dhe popullin, por a duhet të themi se jemi shumë të kënaqur me atë se çfarë ka sjellë gjithë kjo periudhë? Jo, të gjithë i kuptojmë mundësitë që mund të bëhet edhe më mirë, që mirëqenia jonë si qytetarë të jetë më e kënaqshme, që të kemi politika më të mira për punësim, zhvillim ekonomik të vendit, shpërndarje të barabartë të mirave materiale, arsim më cilësor, siguri më të lartë në ushqim, si dhe aspekte të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme. Është shumë e dhimbshme të dëgjosh, gjë që të rastis çdo ditë diçka të tillë, tek të rinjtë, tek të cilët mund të shohesh një potencial profesional kualifikues, që marrin rrugën për në Evropë dhe vende të tjera më të largëta, në kërkim të një jete më të mirë. Në këtë rrafsh, fajin e kemi ne (klasa politike që udhëheq vendin). Megjithëkëtë, unë dua të besoj që është koha e fundit të veprohet karshi këtyre telasheve që kemi si shoqëri.
“Epoka e re”: Gjatë kësaj periudhe kohore, a besoni se shtetit i Kosovës i ka përmbushur pritjet e qytetarëve? Dhe ku mendoni se janë ngecjet më të mëdha?
Jashari: Po e nis këtë pjesë nga Ligji për pagat. Një pjesë e shoqërisë, ajo që punon në sektorin publik, mund të konsiderohet që është më komod, me rritjen e pagave. Por sektori privat ka mbetur si mos më keq. Nuk është përmirësuar niveli i tyre, duke krijuar një lloj kanali të thellë mes këtyre dy grupe njerëzish. Qytetarët gjithashtu presin zhvillim ekonomik, i cili përveç përmirësimit të jetës së qytetarëve, mund të stimulojë edhe investitorë të huaj për të investuar në Kosovë. Tek pritjet, çështja e liberalizimit të vizave, e ka kthyer Kosovën në një kafaz, fatkeqësisht, të izoluar padrejtësisht nga Bashkimi Evropian, zyrtarët e të cilit e kishin deklaruar vet se janë përmbushur kriteret që mundësojnë heqjen e vizave. Në këtë pikë, edhe shteti ka dështuar në disa segmente, apo është vonuar t’i përmbush kriteret e përcaktuara, gjë që ka penalizuar dhe mohuar të drejtën secilit qytetarë të lëvizëm lirshëm. Ende ka punë të papërfunduara, në mënyrë që Kosova të ec përpara. Kemi jashtëzakonisht nevojë për sundim të ligjit, gjë që duhet të jetë primar, pastaj të bëjmë ç’është e mundur në krijimin e politikave për investitorë të jashtëm. Mendoj ka ngecje tek sundimi i ligjit, mungesa e zhvillimit ekonomik, që prodhon papunësi, dhe zhdukja e varfërisë.
“Epoka e re”: Republika e Kosovës tani gjenden në një presion të vazhdueshëm nga ShBA-të për heqjen e taksës për produktet serbe, për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut. Sipas jush si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës në këtë rast?
Jashari: Mendoj se jemi në një pozicion të vështirë. Në njërën anë duhet që Serbisë herë pas herë t’i tregohet se megjithatë edhe Kosova ka mundësi të godas ekonominë e saj, siç është rasti i taksës, apo bojkotimi total i prodhimeve të saj, ndërsa në anën tjetër gjendemi përballë kërkesave të vazhdueshme të SHBA-ve, si një nga konitrutdhënësit më të mëdhenj të lirisë dhe pavarësisë sonë, për heqje të taksës. Megjithatë, mendoj, se Qeveria do të duhej t’i merrte në konsideratë kërkesat që vijnë nga partnerët tanë, sepse nuk do të guxoja të mendoja se SHBA-të na duan të keqën. Besoj që pezullimi i taksës për një kohë të caktuar, që do të pasonte kritere të qarta për vazhdim të dialogut nga pala jonë për palën serbe, do të ishte një veprim i qëlluar, për të tejkaluar këtë situatë në të cilën ndodhemi si shtet. Ky është mendimi im, gjithsesi.
“Epoka e re”: Spektri politik, në vend ende nuk ka arritur një konsensus rreth dialogut me Serbinë, ndonëse Kuvendi ka arritur ta miratojë Delegacionin Shtetëror për Bisedime. Cilat është mesazhi i juaj për pozitën dhe opozitën për këtë çështje?
Jashari: Që prej mbarimit të luftës si shoqëri kemi çaluar në këtë aspekt, pra ka munguar unifikimi i spektrit politik karshi temave të mëdha, duke u vënë në pah mungesa e vetëdijes që kur janë në pyetje interesat vitale të Kosovës, nuk po mund t’i lëmë anash inatet politike, nga të cilat po vuajnë më së shumti qytetarët. E kaluara jonë e përbashkët ka dëshmuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve. Në këtë situatë, nuk është se kërkohet ndonjë mendje e ndritur për të përcjell mesazh tek vendimmarrësit; është në pyetje e ardhmja e Kosovës, është në pyetje e ardhmja e fëmijëve tanë.
“Epoka e re”: Z. Jashari, nga disa deklarime që keni pasur në media është interpretuar se ju do të jeni i gatshëm për të formuar subjekt të ri politik, por kjo gjë pastaj është mohuar nga ju por duke lënë mundësinë e hapur. A mendoni se vendit i duhet edhe një parti e re?
Jashari: E tëra ka qenë keqinterpretim i deklaratës sime. Ajo çfarë kam deklaruar ka të bëjë me nevojën e mundshme. Pra, ashtu siç ka nisur rrugëtimi im për kryetar i Komunës së Skenderajt, meqë ishte kërkuar nga qytetarët një gjë e tillë, e kam deklaruar kohë më parë dhe e konfirmoj përsëri se, nëse kërkohet diçka e tillë, unë do ta shqyrtoj kërkesën. Pra, nuk është se kam deklaruar se unë do të formoj parti.
“Epoka e re”: Meqenëse jemi në prag të kësaj feste të rëndësishme, cili është urimi i juaj për këtë përvjetor?
Jashari: Me lejoni të shfrytëzoj këtë rast që nëpërmjet gazetës “Epoka e Re”, dhe meqë jemi duke kremtuar Ditën e Pavarësisë, t’u uroj të gjithë shqiptarëve 17 Shkurtin, me dëshirat më të mira për shëndet, begati dhe prosperitet për gjithë popullin shqiptar kudo ndodhet ai!
(Muhamet Koci)